Komisioni për Buxhet ka shtyrë aprovimin e kërkesës së auditores së Përgjithshme, Vlora Spanca e cila ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës zbritjen e pagës së saj me 25 për qind, nga rreth 3.800 euro me shtesa në 2.800.
Në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transferë, auditorja e Përgjithshme, Spanca ka bërë të ditur se Zyra Kombëtare e Auditimit ka vendosur në kalendarin e auditimit të pasqyrave financiare edhe për transmetuesin publik-RTK-në.
Derisa kërkesa për caktimin e pagës për Auditorin e Përgjithshëm, e shqyrtuar në këtë Komision, është vlerësuar nga deputetët e opozitës si e arsyeshme, por kritikuan Qeverinë që nuk po miraton Ligjin për Pagat, i cili sipas tyre rregullon pagat e të gjithë punonjësve në sektorin publik.
Spanca ka thënë se për shkak të rrethanave ekonomike ka menduar që do të ishte e drejtë që paga e saj të jetë më e ulët dhe në proporcion me pagën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.
“Propozimi im ka qenë që ndoshta një pagë jo më e lartë se 2 mijë e 800 euro do të ishte pagë e dinjitetshme për auditorin. Ju siguroj, se pavarësisht pagës që ju do ta caktoni për auditorin e përgjithshëm, unë do ta kryej punën me nder, njësoj, pavarësisht pagës. Sepse pozita e auditorit të përgjithshëm nuk ka kundërvlerë”, tha Spanca.
Sa përket kërkesës për pagat e larta, shqetësim lidhur me këtë pati deputeti, Mërgim Lushtaku nga PDK, i cili kërkoi miratimin e Ligjit të Pagave, që siç tha ai, e rregullon këtë fushë.
“Mendimi im është që jo vetëm paga e juaj, por edhe çdo pagë të rregullohet sa më parë me Ligj dhe mos të jetë kjo ne vendim të një komisioni apo siç ka qenë më herët të vet rregullohet”, tha ai.
Deputeti Avdullah Hoti nga LDK ka kërkuar që mos të zbriten edhe pagat e auditorëve, krahas uljes së pagës së Auditorit të Përgjithshëm për të cilën tha se duhet të jetë konform pagës në Gjykatën Kushtetuese.
“Nëse ne ndryshojmë pagën e juaj, a prek ky vendim edhe pagat e auditorëve të tjerë. Këtu duhet pasur kujdes që mos të largohen auditorët… Dhe e dyta, me mirëkuptimin e juaj ju lus që të jeni e kujdesshme se po më duket sikur iu ka preku pak ai ‘sindroma’ e plot politikanëve që kur e marrin detyrën, kujtojnë se krejt çka është bërë më herë, është bërë gabim dhe tash duhet filluar çdo gjë nga e para”, tha Hoti.
Deputeti Pal Lekaj nga AAK, theksoi se është një shembull i mirë kur zyrtarët publikë kërkojnë zbritjen e pagave, teksa shtoi se Projektligji për Paga që qëndron në sirtarët e Qeverisë, e rregullon këtë çështje, por që duhet të miratohet.
“Është një shembull i mirë, apo praktikë e mirë që zyrtarët e lartë publikë mund kërkojnë që të zbritet paga, por ne duhet të veprojmë si institucione dhe në bazë të ligjit. Ligji i pagave është në sirtar dhe ne kemi kuptuar që ka laramani në mes të institucioneve për paga. Derisa nuk miratohet Ligji për pagat në përgjithësi, mendoj se kjo është vetëm ‘fontanë dëshirash’. Pra, ka aq shumë laramani për paga në Kosovë, sa që me një njeri asgjë s’bëjmë”, tha Lekaj.
Ndërsa, deputeti Eman Rrahmani nga LVV-ja ka thënë se një shembull të tillë duhet të ndjekin edhe deputetët, të cilët marrin paga dhe mëditje pa qëndruar asnjë herë deri në fund të punimeve në seancë.
“Është me rëndësi të kemi edhe iniciativa vetanake, edhe kur nuk kemi rregullime ligjore. Janë shembuj sidomos edhe për neve deputetëve që në një farë mënyre marrim edhe pagat edhe mëditjet thuajse pa qëndruar asnjë herë deri në fund të seancës. Kështu do të duhej të ishim shembuj edhe ne, për shkak se atë pagë të cilën e marrim duhet ta meritojmë dhe arsyetojmë para qytetarëve secili”, tha Rrahmani.
Ndërsa, me propozim të kryetarit të Komisionit, Armend Muja është shtyrë aprovimi i kërkesës së auditores, Spanca deri në javën e ardhshme kur të bëhet edhe një analizë e pagave për institucionet e ngjashme sikur ZKA.
“Propozoj që mund të vendosen këto paga, mirëpo ato duhet të jenë në margjina të cilat mund të aplikohen njëjtë edhe tek institucionet tjera me rol të njëjtë kushtetues. Kështu që kisha sugjeruar që të diskutohet edhe pak më tepër lidhur me këtë çështje sa i përket nivelit të pagesës jo aprovimit dhe deri në javën e ardhshme ne të vendosin përfundimisht”, tha Muja.
Duke iu përgjigjur kryetarit të komisionit, Armend Muja për audutimin e RTK-së, Spanca ka thënë se tash e tutje edhe pasqyrat financiare të RTK-së do të auditohen.
“Nuk është praktikë e përshtatshme kur dy kompani, në këtë rast ZKA dhe një kompani private auditon një institucion me të njëjtën objektivë dhe nuk kishim dashur të dalim me vendime të ndryshme. RTK tashmë ka një kontratë me kompaninë private për 2020-2022. Meqenëse është në mandatin e Zyrës Kombëtare të Auditimit, ne do ta kryejmë auditimin e pasqyrave financiare dhe tash e tutje do të jetë nën mandatin e ZKA-së dhe në planet audituese në baza të rregullta vjetore”, tha ajo.
Auditimin e RTK-së e kanë mbështetur deputetët e pozitës, derisa për këtë ka reaguar deputeti Pal Lekaj, i cili tha se nuk duhet bërë presion transmetuesit publik.