Monday, November 25, 2024
HomeLajmeKosova​Mehmeti: Deri në 13 përqind e fëmijëve janë keq në nivelin e...

​Mehmeti: Deri në 13 përqind e fëmijëve janë keq në nivelin e arritjeve gjatë pandemisë

Nxënësit gjatë mësimit online janë ballafaquar me mungesën e teknologjisë, rrjetit por edhe përvojës. Organizimi i mësimit në këtë kohë nuk ka qenë i efektshëm, ku ka pasur edhe humbje të mëdha të orëve mësimore.

 

Po ashtu, nxënësit kanë pasur ankesa për mësimdhënësit, ku të njëjtit nuk kanë qenë efektiv dhe të qartë. Kështu u tha në konferencën shkencore të organizuar nga Instituti Pedagogjik i Kosovës me temën “Ndikimi i COVID-19 në humbjet mësimore, pasojat në rritjen e pabarazive në mësim dhe sfidat e përmbushjes/kompensimit”.

Kryetari i Instituti Pedagogjik të Kosovës, Nezir Çoçaj tha se kjo konferencë shkencore ndërkombëtare është dy-ditore dhe ka për qëllim të analizojë organizimin e mësimit në distancë në arsimin parauniversitar.

“Me qëllim që të diskutojmë problemet që aktualisht është apo ka qenë si temë bosht ose që ka qenë në diskutimet mbarë-botërore, ndikimi i pandemisë COVID-19 në mësim. Gjegjësisht në pabarazitë mësimore që kanë qenë dhe janë evidente ose që hulumtimi i ka cekur që janë evidente në sistemin arsimor. Kjo është një konferencë dy ditore ndërkombëtare ku do të kemi disa prezantime nga shumë ekspertë ndërkombëtarë ku ata në bazë të prezantimit të tyre mund të paraqesin shumë praktika dhe përvojat”, ka treguar Çoçaj.

Hulumtuesi Selim Mehmeti tha se hulumtimi ka përfshirë 52 shkolla në Kosovë, ku përfshihen këndvështrimet e nxënësve, prindërve, mësimdhënësve dhe drejtorëve të shkollave. Ai tha se përqindja e humbjeve të orëve është e madhe.

“Ne deshëm të ndajmë dallimin mes notës 1, prandaj e përshkallëzuam në gjashtë nivele. Për të parë se cila është përqindja e fëmijëve që kanë humbje më të mëdha dhe pse nuk e kanë mbërri minimumin. Dhe këtu është një dallim i madh me përqindje diku mesatarisht 12-13 përqind i fëmijëve që janë tejet keq me nivelin e arritjeve. Kjo është një masë e madhe e fëmijëve për të cilët duhet një kujdes dhe mbikëqyrje institucionale për t’i përkrahur dhe për të eliminuar këto pabarazi. Por, afër tyre është një përqindje e madhe që as minimumin nuk e kanë mbërritur. Por, kanë rezultate diku te 30-35”, u shpreh ai.

Ky hulumtim tregon se fëmijët e klasës së dytë kanë probleme të theksuara me drejtshkrimin elementar, shkrimin e një teksti në bazë të udhëzimeve dhe vendosjen e një titulli. Po ashtu, edhe nxënësit e klasës së shtatë kanë sfida dhe probleme në analizat e teksteve të ndryshme.

Sfidë gjatë kësaj kohe ka qenë edhe sigurimi i pajisjeve teknologjike.

“Nxënësit e thonë se organizimi i mësimit në pandemi deri diku ka qenë i efektshëm. Pasqyron shumë sfida janë në raport edhe me tekstet edhe me mënyrën se si kanë mësuar. Gjatë mësimit online janë ballafaquar shumë me mungesën e teknologjisë, mungesën e rrjetit por edhe me mungesë të përvojës. Mësimdhënësit gjatë pandemisë në numër të caktuar përshkruhen se nuk kanë qenë shumë të qartë, nuk kanë qenë shumë efektiv në raport me mësimdhënien por edhe me dhënien e detyrave”, theksoi ai.

Ndërsa, zëvendësministrja Edona Maloku u shpreh se këto rezultate tregojnë sfidat edhe problemet që kanë pasur gjatë kësaj periudhe.

“Të gjitha pajtohemi se ka pasur humbje mësimore dhe është e jona dhe gjithë akterëve prezent që të bashkërendojmë dhe bashkëpunojmë për të çuar përpara proceset dhe për të parë si mund t’i adresojmë këto humbje mësimore që i kemi pasur. Përkundër qëllimit të mirë të të gjithëve dhe punës së palodhshme, megjithatë humbjet kanë ndodhur jo vetëm tek ne por edhe në nivel global edhe të rajonit”, ka thënë ajo.

Instituti Pedagogjik ka rekomanduar MAShT-in që të gjejë mënyrat për të pajisur fëmijët me pajisje teknologjike përmes sigurimit nga buxheti publik apo nëpërmjet krijimit të mekanizmave institucionalë për të nxitur dhurime nga donatorët privatë.

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments