Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKosova​Mehaj-kadetëve: Ju do të shërbeni në paqe dhe krah vendeve anëtare të...

​Mehaj-kadetëve: Ju do të shërbeni në paqe dhe krah vendeve anëtare të NATO-s

Forcës së Sigurisë së Kosovës i janë shtuar 20 kadetë të rinj nga Qendra për Studime Universitare, të cilët dhanë betimin para flamurit dhe eprorëve të tyre. Kjo është gjenerata 2025, vit në të cilin këta kadetë do t’u bashkohen oficerëve të forcës. Betimi i kadetëve është bërë në një ceremoni në hapësirat e Kazermës “Adem Jashari”, në Prishtinë me një ceremoni.

 

Xheneta Zeqiri është gati për jetën e re brenda Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ani pse është e vetëdijshme për sfida të mëdha që e presin, dëshira dhe vullneti për të dhënë kontributin e saj për atdheun me uniformën e FSK-së, e bëjnë që të vazhdojë tutje.

“Veshja e uniformës më ka jap një ndjenjë shumë ndryshe dhe në shpirt e kam ndje që është vendi i duhur që unë mundem me gjet vetën dhe e di që ka pasur sfida dhe qëllime të ndryshme që unë është dashur me i ndjek për me ardhë këtu por e di që ka me pas sfida edhe në të ardhmen shumë të vështira po e di që kom me i kalu, me punë, vullnet dhe dëshira besoj që krejt këto kanë me u arrit”, ka thënë ajo për KosovaPress, pas betimit që ka bërë si kadet i FSK-së.

Në mesin e 20 kadetëve që janë betuar është edhe Gramoz Ibishi, i cili ka thënë se frymëzohet nga puna e palodhshme e të parëve.

“Ne sot e vazhdojmë traditën e tyre duke u munduar të përcjellim punën e palodhshme të tyre, edhe ne bashkë vendosëm që me punë dhe angazhimin tonë jemi betuar dhe jemi bërë kadet të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe me përcjellë amanetin e të parëve, që na kanë lënë të parët tanë”, ka thënë ai.

Kadetëve u është drejtuar ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i cili u ka thënë se ata duhet të fitojnë zhvillimet e duhura ushtarake dhe intelektuale për t’u shndërruar në udhëheqës.

“Në identitetin tuaj profesional dhe njerëzor duhet të frymëzoheni në historinë e luftërave të lavdishme të popullit tonë të cilat u udhëhoqën nga doktrina e karakterit çlirimtar dhe mbrojtës, dhe të keni për model udhëheqjen e saj kryengritëse e luftarake të çmuar. Ju duhet të fitoni zhvillimet e duhura intelektuale dhe ushtarake, fizike, morale, etike, dhe të shndërroheni në udhëheqje me karakter të fortë ashtu siç i përket një oficeri”, ka thënë ministri Mehaj.

Ai ka shtuar se pjesëtarët e FSK-së do të shërbejnë në paqe krah vendeve anëtare të NATO-s.

“Nga ju pres të jeni kadet-student të disiplinuar dhe të studioni dhe të dilni të vyeshëm për kombin dhe atdheun, të jeni me karakter të fortë dhe të pathyeshëm, të ngitni flamurin tonë lartë, të punoni natë e ditë me krenari për të ardhmen e vendit tonë të çmuar. Ju do të shërbeni në paqe për të mirën e përbashkët, me pjesëtarët tuaj të ushtrisë si dhe pjesëtarët e vendeve të NATO-s, ju do të kryeni detyrën me fisnikëri dhe do të jenë partner me aleatët tanë të çmuar që na kanë ndihmuar të vinë këto ditë sot këtu”, ka thënë Mehaj.

Ndërsa, zëvendëskomandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral Enver Cikaqi ka thënë se rrugëtimi i suksesshëm i forcës është edhe falë mbështetjes së madhe të aleatëve, në veçanti Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Të dashur kadetë, nga ju kërkojmë përkushtim maksimal, dhe të jepni më të mirën nga vetja, gjatë rrugëtimit që keni zgjedhur do të kaloni ditë të vështira dhe me angazhime të shumta, nga ju pres që të shfaqni iniciativë, lidership dhe standard të lartë të përgatitjes fizike. Në asnjë mënyrë mos tentoni të bëni kompromis me detyrën, nderin dhe atdheun, respektimi i vlerave dhe standardeve do ju bëjë persona më të mirë në ekip, në familje, në shoqëri dhe pas katër vitesh do t’i bashkoheni korit të oficerëve të ushtrisë sonë”, ka thënë gjeneral Cikaqi.

E komandanti i Qendrës për Studime Universitare, major Ali Haxhimustafa u ka thënë kadetëve se vlerat ushtarake dhe standardet akademike e fizike duhet të jenë në nivelin më të lartë.

“Këta kadetë pas katër viteve do të jenë oficer kompetent me të cilët do të mburremi të gjithë. Gjenerata 2025 duhet ta dini që nga ju pritet shumë gjatë shkollimit katër vjeçar, por më shumë pritet në momentin kur diplomoni, atëherë pritet që ta mbroni vendin, Kushtetutën dhe vlerat e shoqërisë sonë, duke mos i harruar asnjëherë sakrificat e popullit tonë dhe atyre që dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës”, ka thënë ai.

Nënshkrimi i kontratave me kadetët e rinj është bërë në prezencën e familjarëve të tyre të cilët kishin ardhur në kazermë për t’i mbështetur ata në ditën e betimit.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments