Wednesday, November 27, 2024
HomeLajmeKosovaZyrtari i lartë i administratës së Biden shtyu vizitën në Kosovë

Zyrtari i lartë i administratës së Biden shtyu vizitën në Kosovë

Natën kur Kosova dhe ushtria e saj u përjashtua nga “Defender Europe 23”, një zyrtar i lartë amerikan kishte njoftuar shtyrjen e vizitës së planifikuar pas disa ditësh në Prishtinë. Të dy këto, si ndëshkim për “dorën” që ia dha Qeveria e Kosovës përshkallëzimit në dhunë të situatës në veri të vendit.

Ndihmës-sekretari në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson, më 3 qershor 2023 do të ateronte për vizitë zyrtare në Prishtinë.

Vetëm pak ditë para nisjes drejt Kosovës, ku do të qëndronte deri më 7 qershor 2023, Robinson anuloi udhëtimin duke e shtyrë vizitën e tij. Krejt kjo shkaku i gjendjes që u krijua në veri, e që çoi Kosovën në ndëshkime nga SHBA-ja, aleati kryesor i vendit.

Se situata në veri të Kosovës – e përshkallëzuar qysh më 26 maj 2023 kur kryetarët e tre komunave veriore, nën shoqërimin e Njësisë Speciale të Kosovës provuan të hyjnë në objektet komunale – ka qenë arsyeja e shtyrjes së vizitës së zyrtarit të lartë të administratës së Biden e ka konfirmuar të enjtenvet ambasada e SHBA’së në Prishtinë.

“Për shkak të krizës aktuale në veri të Kosovës, Ndihmës Sekretari Robinson e shtyu udhëtimin e tij në Kosovë. Ne po u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të ulur tensionet dhe për t’u kthyer në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha për Reporteri një zëdhënës i ambasadës së SHBA’ve në Kosovë.

Në vizitën e tij 4 ditorë në Prishtinë, Ndihmës-sekretari në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson, kishte paraparë një sërë takimesh me shefat e shtetit dhe qeveritarë dhe vizita në institucionet e ndryshme të sigurisë dhe sundimit të ligjit në Kosovë.

Siç ka marrë vesh gazeta online Reporteri.net, Robinson në fillim të kësaj jave, në agjendë kishte edhe një takim me Kryeministrin Albin Kurti. Ai po ashtu do të pritej në zyrën e saj edhe nga Presidentja Vjosa Osmani.

Në agjendën e takimeve Robinson kishte të paraparë edhe takim me Ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ndërsa i shoqëruar nga Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, zyrtari i lartë amerikan planifikonte të vizitonte edhe Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri.

Ardhja e Robinson në Kosovë u shty me një “njoftim ndëshkues” nga erdhi nga SHBA’ja me 29 maj 2023, ku përveç se bllokoi vizitat zyrtare të qeveritareve mes Prishtinës e Washingtonit, e la Kosovën jashtë pjesëmarrjes “Defender Europe 23” – stërvitjes ushtarake e përbashkët shumëkombëshe drejtuar e Komanda Evropiane e SHBA “Defender Europe”.

Ndëshkimet amerikane për Kosovën, pas trazirave në veri

Krejt këto ndëshkime, që për shumëkëd shihen si sanksione të SHBA’së ndaj Kosovës, erdhën pas trazirave të fundit në veri të Kosovës. Aleatët perëndimor të vendit po e mbajnë përgjegjëse Kosovën dhe Qeverinë e Albin Kurtit për përshkallëzimin në dhunë të situatës atje. Dhjetëra pjesëtarë të KFOR’it janë lënduar gjatë një përleshje të tyre me protestuesit e dhunshëm serbë. Këta të fundit kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët e ekipet e mediave kosovare.

“Më duhet të them, se tani për tani, nuk ka entuziazëm shumë të madh te Shtetet e Bashkuara për t’iu përgjigjur disa prej interesave të tjera të Kosovës, siç janë angazhimi me shtetet jo njohëse, apo puna aktive për ta avancuar trajektoren evropiane apo euro-atlantike të Kosovës”, e njoftoi si ndëshkim të tretë për Kosovës, ambasadori amerikan Jeff Hovenier, në një intervistë dhënë për disa gazetarë kosovarë më 30 maj 2023.

“Më duhet ta them se kemi kërkuar nga kryeministri Kurti, në mënyrë shumë direkte, të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të arritur deri te një depërshkallëzim në veri. Ai nuk i është përgjigjur këtyre kërkesave”.

Kush është Todd Robinson?

Ambasadori Todd D. Robinson u betua si Ndihmës Sekretar në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit më 30 shtator 2021.

Robinson shërbeu për herë të fundit si Drejtor i Zyrës Ndërkombëtare të Menaxhimit të Studentëve në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare. Përpara detyrës së tij në NDU, ai shërbeu si Këshilltar i Lartë për Amerikën Qendrore në Byronë e Çështjeve të Hemisferës Perëndimore në Washington, DC.

Ambasadori Robinson ishte më parë i Ngarkuar me Punë në Karakas, Venezuelë nga 18 dhjetori 2017 deri më 22 maj 2018, kur u dëbua nga Presidenti Maduro. Ai ka qenë më parë ambasador i SHBA në Republikën e Guatemalës nga 16 shtatori 2014 deri më 20 shtator 2017.

Robinson është një diplomat karriere me gradën Ministri i Karrierës.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments