Monday, November 25, 2024
HomeLajmeKosovaZyrtari i Komunës së Klinës thotë se nuk ka ditur se vajza...

Zyrtari i Komunës së Klinës thotë se nuk ka ditur se vajza e kryetarit kishte aplikuar për punësim

Shefi i Personelit në Komunën e Klinës, Xhavit Dauti ka thënë se Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj nuk kishte patur qasje në listat e kandidatëve në konkursin e punësimit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare. Ka thënë se nuk e ka ditur se në mesin e aplikantëve është edhe vajza e kryetarit Elezaj.

Një deklaratë të tillë, dëshmitari Dauti e tha në seancën e së premtes në Gjykatën e Pejës, në të cilin po zhvillohet procesi i rigjykimit ndaj kryetarit Elezaj i cili ngarkohet për veprën penale të konfliktit të interesit në punësimin e vajzës së tij.

Prokuroria pretendon se Kryetari Elezaj duke qenë në dijeni se vajza e tij kishte aplikuar në konkursin për mjeke, kishte nxjerrë vendimin për themelimin e Komisionit, ku ky i fundit e kishte përzgjedhur vajzën e tij si kandidatën më të suksesshme.

Dëshmitari Dauti rrëfeu se Kryetari para se të merrte vendimin për formimin e Komisonit, nuk kishte ditur se cilët ishin personat që kishin aplikuar në konkursin e QKMF-së.

“Kryetarit i dërgohet vetëm vendimi për formimin e Komisionit të cilin e përgatis unë dhe më pas e nënshkruan kryetari. Kryetarit nuk i dorëzohen listat e aplikantëve e as aplikacionet e kandidatëve por të gjitha dosjet e aplikantëve i dorëzohen komisionit të formuar”, tha dëshmitari Dauti.

Ai shtoi se pasi ishte mbyllur afati për aplikim në konkurs, kishte parë emrin e vajzës së kryetarit, mirëpo sipas dëshmitarit ai nuk e kishte ditur se ishte vajza e kryetarit Elezaj.

“A e ki këqyr se kush ka apliku në këtë konkurs, a e ki pa emrin e vajzës së kryetarit “, ishte pyetja e prokurores Valbona Disha-Haxhosaj drejtuar dëshmitarit.

“Po normal se i këqyrim po edhe e kam lexuar edhe emrin e saj, por nuk e kam ditë se është vajza e kryetarit”, u përgjigj Dauti.

Dëshmitari shtoi se e ka obligim të njoftonte kryetarin nëse i njëjti është në konflikt interesi.

Ai shtoi se anëtarët e Komisonit nuk e kishin njoftuar se aplikante kishte qenë edhe vajza e kryetarit Elezaj.

“Po e kanë obligim mirëpo nuk më kanë njoftuar”, tha Dauti.

Në lidhje me këtë, dëshmitari shtoi se pasi Komisoni kishte përgjedhur vajzën e të pandehurit si kandidatën më të suksesshme, Kryetari e kishte njoftuar dëshmitarin verbalisht për delegimin e kompentencës tek nënkryetari për nënshkrim për shkak të konfliktit të interesit.

Në këtë seancë ishte paraparë të ndëgjohej edhe nënkryetari aktual i Komunës, dëshmitari Besim Hoti, mirëpo edhe pse ishte i ftuar në mënyrë të rregullt, mosardhjen nuk e ka arsyetuar.

Seanca e radhës u caktua me 25 tetor 2021, në ora 10:00

Ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, me 28 prill 2021, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Zenun Elezaj ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Pejë më 29 dhjetor 2020 dhe ishte dënuar me 4 mijë euro gjobë, për veprën penale “konflikti i interesit”.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetarja e trupit gjykues Violeta Husaj- Rugova, ndaj tij ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike në afat prej 2 vitesh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mirëpo, kolegji i gjykatësve të Apelit, i kryesuar nga Tonka Berisha, kanë konstatuar se vendimi i shkallës së parë ishte rezultat i shkeljeve procedurale dhe mungesë e vërtetimit të plotë gjendjes faktike, për çka rastin e kanë kthyer në rigjykim.

Sipas aktakuzës së ngritur më 9 tetor të vitit 2019, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Zenun Elezaj akuzohet se më 20 shkurt 2018, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Klinës, duke e ditur se vajza e tij ka për të aplikuar në pozitën “Mjeke e praksës së përgjithshme”, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Klinë, ka marrë pjesë personalisht në këtë çështje zyrtare, duke marrë vendim për formimin e komisionit për zhvillimin e procedurave për krijimin e marrëdhënies së punës.

Sipas aktakuzës, komisioni të cilin Elezaj e kishte formuar e kishte përzgjedhur si punëtore vajzën e kryetarit të Klinës, duke e punësuar atë në QKMF-në “Nëna Terezë”, në Klinë.

Në aktakuzë thuhet se hetimet ndaj kryetarit të Klinës, kanë filluar nga kallëzimi penal i ushtruar nga Agjencia Kundër Korrupsion në Prishtinë, ku sipas opinionit të dhënë për prokurorinë, AKK-ja kishte përcaktuar se kryetari i Komunës duhet të përjashtohet nga çfarëdo çështje vendimmarrëse dhe administrative që kanë të bëjnë me ndonjë anëtar të afërm të familjes.

Prokuroria Themelore në Pejë, sipas aktakuzës, më pas ka nisur hetimet ndaj Elezaj më 26 gusht të këtij viti, ku pas analizimit të provave materiale dhe dëshmisë së dëshmitarëve dhe vet të pandehurit, kjo prokurori thuhet se ka ardhur në përfundim se ekzistojnë të gjitha elementet e veprës penale të konfliktit të interesit.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments