Kombëtarja e Kosovës në futboll po mban sot konferencë për media para ndeshjeve të qershorit.
“Dardanët” do t’i luajnë katër ndeshje në qershor, të vlefshme për Ligën e Kombeve.
Kosova do të përballet me Qipron, Greqinë dy herë dhe Irlandën e Veriut gjatë muajit qershor.
Menaxheri i kombëtares së Kosovës, Bajram Shala e ka konfirmuar largimin e Edvin Kurtulus nga kombëtarja e Kosovës.
Ai tha se ishte ftuar nga Kosova U-21 për këto ndeshje, por ai u kishte treguar se ka vendosur të luajë për Suedinë.
Suedezët edhe më herët e kishin ftuar Kurtulusin, por në ekipin U-21. Por, lojtari kishte refuzuar ta lë shiritin e kapitenit të “Dardanëve” të rinj për të rinjtë suedezë. Mirëpo, besohet se tani Suedia ia ka hapur dyert e Kombëtares A, e cila sikur po e joshë mbrojtësin anësor.
Suedia sot e ka zbuluar listën e futbollistëve për ndeshjet e qershorit. Pjesë e kësaj liste nuk është Kurtulus, raporton Gazeta Express. Por, mediat skandinave po thonë se Kurtulus do të ftohet në grumbullimin tjetër të Suedisë pasi paraprakisht duhet t’i rregullohet i gjithë dokumentacioni që e kërkojnë rregulloret e FIFA-s.