Zyra Kombëtare e Auditimit ka përfunduar sezonin auditues 2020/21 duke dërguar në Kuvendin e Republikës së Kosovës Raportin Vjetor të Auditimit (RVA).
Përveç auditimeve financiare dhe të pajtueshmërisë, RVA-ja përfshin informata edhe për auditime të tjera të kryera gjatë sezonit auditues 2020/2021, siç janë auditimet e performancës, të menaxhimit, sistemeve të teknologjisë së informacionit, të projekteve të donatorëve, etj. Këtë vit për herë të parë ky Raport përmban edhe rezultatet nga auditimi i teknologjisë së informacionit që është kryer në Sistemin Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës.
Gjatë këtij sezoni auditues, ZKA-ja ka kryer gjithsej 127 auditime që përfshijnë raportin financiar vjetor të buxhetit të Republikës së Kosovës, me vlerë rreth 2.5 miliardë euro; 90 organizata buxhetore; 12 ndërmarrje publike nga sektorë të ndryshëm; 11 auditime të përformancës si dhe 13 projekte të financuara nga Banka Botërore dhe SIDA.
Me rastin e përfundimit të sezonit auditues, Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, ka theksuar se “Auditimet e vitit 2020 kanë nxjerrë në pah një sërë mangësish në shumicën e organizatave buxhetore, të cilat karakterizojnë një menaxhim të dobët të fondeve buxhetore, si dhe mos arritjen e vlerës për para. Një qasje sistematike dhe më e fokusuar në zgjidhjen dhe adresimin e problemeve të identifikuara, do të ishte më se e nevojshme, në mënyrë që t’i hapet rrugë menaxhimit më të mirë dhe shërbimeve më të mira për qytetarët. Konkluzionet kryesore të raportit nënvizojnë nevojën për një vëmendje të shtuar të drejtuesve të subjekteve publike për forcimin e masave dhe përmirësimin e proceseve në fushat e identifikuara”, ka deklaruar Spanca.
Ndërkaq shqetësuese vazhdon të mbetet niveli jo i kënaqshëm i zbatimit të rekomandimeve. Ndonëse përpjekjet e koordinuara të ZKA-së dhe të komisioneve parlamentare të Kuvendit për rritjen e përgjegjësisë së drejtuesve të subjekteve të audituara kanë filluar të japin efekte pozitive, ku përqindja e rekomandimeve të zbatuaraka arritur në 45% apo 5% më shumës se në vitin paraprak, përmirësimi i mëtejshëm në këtë fushë, kërkon përkushtim më të madh të vendimmarrësve.
Me këtë rast Auditorja e Përgjithshme ka falenderuar punonjësit e ZKA-së për punën dhe kontributin e dhënë për të përmbyllur me sukses këtë sezonë të auditimit, gjatë së cilës për herë të parë, është zbatuar sistemi elektronik për menaxhimin e auditimit dhe metodologjia e përditësuar për auditime financiare dhe të pajtueshmërisë.
Zyra Kombëtare e Auditimit së shpejti fillon vitin e ri të auditimit dhe aktualisht po punohet në Planin Vjetor të Punës 2021/2022.