Monday, November 25, 2024
HomeLajmeKosovaZPS: Provat kundër Gucatit dhe Haradinajt janë shumë bindëse

ZPS: Provat kundër Gucatit dhe Haradinajt janë shumë bindëse

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, Zyra e Prokurorit të Specializuar është duke dhënë deklaratën përmbyllëse në rastin gjyqësor ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt. Sipas prokurorisë, sjelljet e frikësimit të dëshmitarëve dhe pengimit të drejtësisë kanë ndikuar në hetimet dhe gjykimet ndaj pjesëtarëve të UÇK-së për 20 vjet. ZPS ka deklaruar se të akuzuarit nuk janë mbi ligjin dhe sipas tyre kjo zyrë ka paraqitur prova të mjaftueshme për të vërtetuar fajësinë e tyre.

Në deklaratën përmbyllëse, prokurorja Valeria Bolici ka thënë nuk është kundërshtuar që Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj kanë bërë publike dokumentet konfidenciale të ZPS-së të cilat përmbanin emra dëshmitarëve të mbrojtur.

Sipas prokurorisë, provat kundër Gucatit dhe Haradinajt janë shumë bindëse.

“Sjelljet e frikësimit të dëshmitarëve dhe pengimit të drejtësisë kanë ndikuar në hetimet dhe në gjykimet ndaj anëtarëve të UÇK-së për 20 vjet. Kjo çështje është shumë unike sepse ata që janë përgjegjës për frikësimin dhe pengimin e procedurave janë sjellë që të japin llogari përpara një gjykatë të drejtësisë, po kështu sepse provat kundër të akuzuarve janë shumë bindëse, janë jashtëzakonisht bindëse. Që në fillim të këtij gjykimi, ZPS ka treguar në këtë gjykatë se sjellja kriminale e të akuzuarave është e incizuar në një numër videosh që janë transmetuar publikisht, në këto prova audiovizuale, të akuzuarit shikohen kur kryejnë sjelljet kriminale të cilat pretendohen në aktakuzë”, ka thënë prokurorja Bolici.

Sipas saj, në paraqitet publike të të akuzuarve ata kanë pranuar se po i kryejnë veprimet në mënyrë të qëllimshme që të zhbëjnë Gjykatën Speciale.

Sipas saj, prova shtesë janë paraqitur nga dëshmitarët e ZPS-së pro edhe nga ata të mbrojtjes.

“Prokuroria parashtron me respekt që nëse faktet e kësaj çështje nuk injorohen dhe nëse nuk keqinterpretohet ligji i zbatueshëm do të pranohet përgjegjësia penale e këtyre të akuzuarve si shumë e qartë. Mbrojtja e di shumë mirë këtë prandaj argumenton se të akuzuarit megjithatë duhet të shfajësohen nga përgjegjësia penale bazuar mbi një numër mbrojtjesh të sajuara të cilat nuk bazohen në dispozita të shëndosha. Gjatë gjithë gjykimit të akuzuarit u përpoqën që ta paraqisnin vetën si përfaqësuesit, flamurtarët e një drejtësie të lartë, ata thonë se nuk duhet të ndëshkohen sepse duke shkelur ligjin ata ndoqën synimet e drejtësisë që i kanë përkufizuar ata vet”, ka thënë Bolici.

Para trupit gjykues, prokurorja ka thënë se veprimet e të akuzuarve kanë shkelur Kodin Penal të Kosovës.

“Ne do të themi pa hezitim se të akuzuarit nuk janë mbi ligjin, veprimet e tyre të përsëritura dhe të qëllimshme e kanë shkelur Kodin Penal të Kosovës dhe nuk justifikohen nga dispozitat të tjera penale, të akuzuarit janë kriminelë. Në deklaratën përmbyllëse të sotme, ZPS do të thotë se prokuroria ka paraqitur provat të cilat provojnë fajësinë ose përgjegjësinë tyre përtej dyshimit të arsyeshëm”, ka thënë ajo.

Seanca në Hagë po vazhdon me deklaratën përmbyllëse të prokurorisë ndërsa Gucati e Haradinaj janë të pranishëm në sallën e gjyqit.

Deklaratat përmbyllëse po dëgjohen pasi kanë përfunduar paraqitjet e provave dhe dëshmitarëve nga të dy palët.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments