Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 70-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar i cili është me masa mbrojtëse dhe mbanë kodin W03170 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Sipas përmbledhjes së lexuar nga përfaqësuesi i ZPS-së, prokuror James Pace, dëshmitari ishte anëtar i LDK-së i cili ishte ndaluar së bashku me një person tjetër dhe janë rrahur.
“Dëshmitari 03170 ishte një anëtar i LDK-së që është arrestuar së bashku me një person tjetër. Gjatë transferimit në një prej vendeve ku këta persona janë ndaluar, dëshmitari 03170, duart e tij dhe duart e një personi tjetër u lidhën dhe ata janë kërcënuar dhe janë rrahur”, tha Pace duke vazhduar më pyetje në sesion privat me arsyetimin për mbrojtjen e dëshmitarit.
Deklaratat që dëshmitari kishte dhënë më herët për ZPS-në së bashku me materialet përcjellëse u pranuan si prova materiale.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, prokuroria ka paraparë rreth një orë e gjysmë për pyetje, mbrojtja e viktimave 15 minuta si dhe mbrojtja e të akuzuarve rreth pesë orë e gjysmë.