Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka biseduar me gjeneralin Wesley Clark.
Temë e diskutimeve siç ka njoftuar Mehaj janë edhe zhvillimet e fundit në rajon.
“Në bashkëbisedimin e sotëm me të, diskutuam për zhvillimet e fundit gjeopolitike në rajon, me fokus në rolin e Kosovës në këto rrethana sfiduese për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe më gjerë”, ka shkruar ai.
“Falënderim dhe mirënjohje e përjetshme për Heroin tonë, Gjeneral Clark dhe të gjithë autoritetet vendim-marrëse amerikane për gjithçka që keni bërë dhe jeni duke bërë për Kosovën dhe botën demokratike!”, ka shkruar tutje Mehaj.
Postimi i plotë:
Përgëzimet e Gjeneral Wesley Clark për sukseset tona janë inkurajim i madh dhe motivim i veçantë për të vazhduar edhe më fuqishëm drejtë synimeve tona.
Krahas takimeve, prezentimeve e diskutimeve gjatë vizitës në SHBA, konsultimet me Gjeneral Clark janë shumë të rëndësishme në secilin angazhim.
Në bashkëbisedimin e sotëm me të, diskutuam për zhvillimet e fundit gjeopolitike në rajon, me fokus në rolin e Kosovës në këto rrethana sfiduese për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe më gjerë.
Gjeneral Clark më përgëzoi për spektrin e gjerë dhe të suksesshëm të angazhimeve tona, me theks në pjesëmarrjen tonë efektive në operacionin humanitar mbështetës të NATO-s për akomodimin e refugjatëve afganë të udhëhequr nga ushtria amerikane, si dhe përmbylljes me sukses të misionit të parë të FSK-së jashtë vendit.
Me Gjeneral Clark u dakorduam për vazhdimin e konsultimeve të rregullta, në funksion të realizimit të qëllimeve dhe objektivave të mi strategjik.
Gjeneral Clark edhe këtë herë shprehu përkrahjen e plotë dhe të pakursyer për mbështetje nga eksperienca profesionale dhe autoriteti i tij shumë i lartë, për Ministrinë e Mbrojtjes.
Falënderim dhe mirënjohje e përjetshme për Heroin tonë, Gjeneral Clark dhe të gjithë autoritetet vendim-marrëse amerikane për gjithçka që keni bërë dhe jeni duke bërë për Kosovën dhe botën demokratike!
Kosova dhe populli i saj nuk harron mbështetjen tuaj, prandaj është dhe do të jetë si një trup i vetëm gjithmonë përkrahë jush, si vendi dhe populli më proamerikan në Botë!.