Njohës të proceseve politike në vend po vlerësojnë se Ligji për vetëqeverisje lokale parasheh mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, në këtë rast në komunat veriore.
Sipas tyre, ligji e parasheh mundësin që të paktën 20 për qind e votuesve përmes një organizimi të një peticioni mund të kërkojnë largimin e kryetarëve të këtyre komunave.
Ata kanë thënë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), nuk mund të krijoj rregullore për referendumin klasik pasi për të njëjtin nuk ka një ligj i cili është votuar në Kuvendin e Kosovës.
Por ata thotë se KQZ-ja mund të hartojë rregullore për t’i qartësuar rregullat se si mund të mbahet peticioni duke u bazuar në Ligjin për vetëqeverisje lokale.
Profesori Universitar Mazllum Baraliu, i tha Ekonomia Online se Kushtetuta e parasheh mundësinë e mbajtjes së referendumit, por sipas tij, Kushtetuta thotë që për të realizuar këtë të drejtë duhet që të ketë një ligj që duhet të kaloj në Kuvend.
“Jo nuk mundet është e paraparë në Kushtetutën e Republikës së Kosovës mundësi e mbajtjes së referendumit dhe realizimit të drejtës së referendumit të qytetarëve që është forma më demokratike, më e drejtpërdrejt dhe më masovike e vendimmarrje qytetare. Mirëpo Kushtetuta thotë që për të realizuar këtë të drejtë qytetarët e Republikës së Kosovës duhet Kuvendi i Republikës të nxjerr një ligj për referendumin. Kjo nuk ka ndodhur ende dhe pa ligj për referendum nuk mund të ketë rregullore për referendum”, tha ai.
Sipas profesorit, pas kërkesave të BE-së dhe ShBA-së që zgjedhjet në veriun e vendit duhet që të mbahen, ato mund të organizohen në bazë të Ligjit për vetëqeverisje lokale, i cili parasheh që të paktën 20 për qind e votuesve mund të vendosin për një peticion i cili kërkon dorëheqjen e kryetarëve.
“Ajo që i’u po e thoni mund të jetë vendim i Komisionit Qendror Zgjedhor për realizimin e një forme tjetër që parasheh Ligji për Zgjedhjet lokale si mundësi që të bëhen zgjedhjet e jashtëzakonshme në një komunë apo më shumë komunave”.
“Përveç dorëheqjes që mund të japin ose shkarkimit të kryetareve të komunave, nëse kjo nuk realizohet ligji e parasheh edhe një mundësi që të paktën 20 për qind e votuesve, në këtë rast të atyre katër komunave atje, nëse e bëjnë një peticion të cilin ja drejtojnë kryetarëve të komunave përkatëse, atëherë ata vendosin për atë peticion dhe duhet të ketë 50 për qind të qytetare që e miratojnë atë kërkese dhe mund të realizohen zgjedhjet e parakohshëm dhe të jashtëzakonshme në ato katër komuna”, tha ai.
Ai tha se kjo metodë kërkon më shumë kohë, por sipas tij, KQZ-ja duhet që të ketë një rregullore e cila e rregullon këtë çështje me detajishtë, pasi deri më tani nuk ka pasur rast që të veproj në bazë të këtij ligji.
“Është një metodë më indirekte që thjeshtë kërkon më shumë kohë dhe për këtë KQZ kërkon që të ketë një rregullore e cila do ta rregulloj këtë çështje me që nuk ka pasur rast deri me tash me detajishtë. Është një lloj deklarimi i qytetarëve përmes peticionit. Ne duhet të kemi një ligj për referendum nuk e kemi, pa e pasur atë ligj për referendum, referendum nuk mund të ketë në Kosovë. Ndërkaq për këto zgjedhje njëra prej modaliteteve të përsëritjes së zgjedhjeve siç i kanë kërkuar në mënyrë ultimative edhe Brukseli edhe Uashingtoni nëse i pranon Qeveria jonë, për ta stabilizuar gjendjen në veri, atëherë duhet që në qoftë se nuk japin dorëheqje kryetarët e këtyre komunave, atëherë mund të aplikohet ky model, një kërkesë peticionale me peticion që i drejtohet kryetarit përkatës të komunës”.
Gzim Shala, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, tha se Ligji për vetëqeverisje lokale e përcakton mbajtjen e zgjedhjeve në dy forma, ku njërën prej tyre e emëron edhe si referendum, por që nuk është referendum klasik.
Sipas tij, që të për t’u realizuar në praktikë një “referendum” i tillë sipas këtij ligji, kërkohet që KQZ-ja të miratojë edhe një rregullore në mënyrë që të përcaktoj se si mund të realizohet në praktik këto dy dispozita.
“Ligji për vetë qeverisje lokale përcakton dy forma nëse mundemi me i quajtur referendum, njërën prej tyre e emërton pikërisht si të tillë. Rasti i parë është për rregulloret e Kuvendit Komunal që mund të kërkohet referendumi për një rregullore të miratuar nga ana e Kuvendit Komunal”.
“Në anën tjetër ligji për vetëqeverisje lokale ka përcaktuar edhe rregullat që kanë të bëjnë me largimin e kryetarëve të komunave që iniciohet prej 20 për qind të votuesve të regjistruara dhe më pastaj për tu larguar kryetari kërkohet të paktën gjysma e votuesve të regjistruara. Në kuptim të këtyre dy dispozitave për tu realizuar në praktikë një referendum kërkohet edhe që të miratohet edhe një rregullore e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në mënyrë që të përcaktoj se praktikisht si realizohen këto dy dispozita”, tha ai.
Shala sa i përket referendumit, i cili bazohet në ligje dhe Kushtetutë, tha se KQZ-ja nuk mund që të hartojë rregullore për të. Sipas tij, KQZ është mirë që t’i miratojë një rregullore për mënyrën e zbatimit të dy neneve të Ligjit për vetëqeverisje lokale.
“Mirëpo nëse flasim pastaj për pjesën tjetër të referendumit për ligje për aspekte të ndryshme Kushtetuese e të tjerë, kjo nuk mund të bëhet nga ana e KQZ-së për faktin se nuk kemi një ligj për referendumin dhe për këtë arsye do të thotë nuk e di saktësisht se çfarë ka mëndur KQZ të përfshij në këtë rregullore”.
“Mirëpo është mirë nëse miratohet një rregullore për mënyrën e zbatimit të këtyre dy neneve të ligjit për vetëqeverisje lokale mirëpo nuk mund të lëshohet edhe në çështje të tjera që kanë të bëjnë me ligjet me Kushtetutën e të tjetër, për shkak se në Kosovë ende mungon një ligj për referendum. Po e ritheksoi se ligji për vetëqeverisje lokale e njeh edhe referendumin në kuptim të rregulloreve të Kuvendit Komunal, dhe për këtë do të ishte mirë që të nxirren rregullore që do të qartësoj rregullat se si bëhet kjo, mirëpo jo një referendum klasik”, tha ai.
Në mbledhjen e fundit Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka diskutuar njoftimi se Sekretariati i KQZ-së është në procesin e draftimit të rregullores për referendume. Ku me këtë rast pati reagime nga anëtarët e KQZ-së, ata theksuan faktin se një rregullore e tillë nuk mund të hartohet nga KQZ-ja derisa Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar Ligjin për Referendume.
Mirëpo kryetarit i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, në atë mbledhje sqaroi se emërtimi “referendum” është i gabuar, por qëllimi është tjetër. Sipas tij, gjatë procesit të harmonizimit të rregulloreve të reja zgjedhore duhet të hartohet edhe një rregullore zgjedhore për përgjegjësitë e KQZ-së që dalin nga Ligji për Vetëqeverisje Lokale.