Viti 2021 ka qenë tepër i ngarkuar me punë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), institucion ky që organizoi dy procese zgjedhore: Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës dhe dy raundet e Zgjedhjeve Lokale.
Edhe pse Zgjedhjet Lokale janë përmbyllur në mes të muajit dhjetor, jo të gjitha aktivitetet që i takojnë atij procesi kanë përfunduar, siç është rasti me shkatërrimin e materialit zgjedhor.
“Është detyrim ligjor për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që në një kohë të përshtatshme brenda 60 ditëve pas certifikimit të rezultateve zgjedhore të bëjë shkatërrimin e materialit zgjedhor, ku bëjnë pjesë edhe fletëvotimet”.
“Ky aktivitet, llogaritet të jetë i fundit që i takon një procesi zgjedhor, në këtë rast Zgjedhjeve Lokale 2021”, tha Elezi.
Sipas tij, jo i gjithë materiali zgjedhor do të shkatërrohet, pasi një pjesë e tij ruhet si prova për qëllime të hetimit, ndërsa një pjesë tjetër ruhet për qëllime të trajnimit të stafit që do të angazhohet në proceset e ardhshme zgjedhore.
“KQZ-ja do të vendos për të gjitha detajet si dhe do të përcaktojë edhe materialet të cilat do të ruhen si prova për qëllime të hetimit nga organet e drejtësisë deri në përfundimin e të gjitha çështjeve”.
“Po ashtu, KQZ-ja ruan edhe një pjesë të materialit zgjedhor i cili do të mund të përdoret për qëllime të trajnimit në proceset e ardhshme zgjedhore”, u shpreh ai.
Se sa do të jetë numri i kutive që do të ruhen nga Zgjedhjet Lokale, ende nuk dihet, por nga procesi tjetër zgjedhor ai i zgjedhjeve të 14 shkurtit, KQZ-ja ka ruajtur materialin zgjedhor të 418 kutive të votimit, raporton EO.
“Gjatë vitit 2021, KQZ-ja ka organizuar edhe një proces tjetër zgjedhor, pra Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës dhe materiali zgjedhor është shkatërruar. Në këtë proces nuk është përfshirë materiali zgjedhor i 418 kutive të votimit, që i takojnë zgjedhjeve të 14 shkurtit”.
“Pra, ky material do të ruhet si provë derisa të përfundojnë të gjitha çështjet në institucionet përkatëse”, deklaroi Elezi.