Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve (BPD) të KEK sh.a njofton se për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv në Korporatën Energetike të Kosovës është përzgjedhur kandidati më i suksesshëm Nagip Krasniqi.
“Gjatë javës se kaluar janë zhvilluar procedurat e intervistimit për të gjithë kandidatët potencial të cilët i kishin përmbushur kriteret e parapara në shpalljen publike dhe z. Nagip Krasniqi ka marë vlerësimin më të lartë si nga Bordi ashtu edhe nga Partneri zbatues i Projektit të Ambasadës Britanike”, thuhet në njofimin e KEK-ut.
BPD bazuar në kompetencat që rrjedhin nga Ligji për ndërmarrjet publike ka shpallur konkursin për Kryeshef Ekzekutiv (KE) të KEK sh.a. i cili ka qenë i hapur për një muaj dhe është mbyllur me dt: 23.08.2021. Në këtë drejtim, BPD si përfaqësues i aksionarit (Qeverisë), ka udhëhequr një procedurë të hapur, transparente dhe konkurruese ne pajtim me Ligjin e Ndërmarrjeve Publike. Ky proces është mbështetur nga Partneri i jashtëm zbatues i Projektit të Ambasadës Britanike për rekrutimin e pozitave të larta drejtuese, konform memorandumit të bashkëpunimit me Qeverinë e Republikës së Kosovës, si dhe është monitoruar nga përfaqësues të BIRN-it.
Në këtë vazhdë, duke qenë se KEK-u është një ndër shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik në vend dhe e vetmja ndërmarrje e cila operon me bilanc pozitiv, si dhe me qëllim të sigurimit të konkurrencës nga sa më shumë kandidatë profesionist të kësaj fushe, BPD dhe aksionari, respektivisht Ministria e Ekonomisë në vazhdimësi kanë bërë ftesë për gjithë kandidatët potencial që plotësojnë kriteret profesionale dhe të pavarësisë të aplikojnë duke i siguruar që përzgjedhja do të bëhet ekskluzivisht në bazë të meritokracisë. BPD njofton se për pozitën e Kryeshefit Ekzekutivë të KEK-ut, kanë aplikuar 34 kandidatë. BPD dhe aksionari janë shprehur të kënaqur që ftesës së vazhdueshme të tyre i janë përgjigjur pozitivisht një numër i madh i kandidatëve potencial”, përfundon njoftimi i tyre.