Deklarata e fundit e Zelensky erdhi të dielën në mbrëmje pasi forcat ruse shtuan granatimet e tyre anembanë Ukrainës dhe përpjekjet për të evakuuar 200,000 njerëz nga qyteti i rrethuar i Mariupolit u bllokuan për të dytën ditë radhazi.
Në qytetin Irpin, në periferinë veriperëndimore të kryeqytetit Kiev, rreth tetë civilë – duke përfshirë katër anëtarë të një familjeje – u vranë kur raketat goditën atë pjesë, sipas kryebashkiakut lokal.
Moska ka mohuar vazhdimisht se ka sulmuar zonat civile.
Zelensky tha: “Ne nuk do t’i falim për shtëpitë e shkatërruara. Ne nuk do të falim për raketën që mbrojtja jonë ajrore rrëzoi mbi Okhmatdyt. Dhe më shumë se pesëqind raketa të tjera të tilla që goditën tokën tonë në Ukrainë, njerëzit tanë, fëmijët tanë”.
“Ne nuk do të falim pushkatimin e njerëzve të paarmatosur. Shkatërrimin e infrastrukturës sonë. Ne nuk do të falim. Qindra e qindra viktima. Mijëra e mijëra vuajtje. Dhe Zoti nuk do të falë. Jo sot. Jo nesër. Kurrë. Dhe në vend të faljes , do të ketë një ditë gjykimi”.
“Sot u vra një familje në Irpin. Burrë, grua dhe dy fëmijë. Pikërisht në rrugë. Kur u përpoqën të dilnin nga qyteti, për të shpëtuar”.
Ndërkohë më shumë se 1.5 milion ukrainas kanë dalë jashtë vendit në vetëm 11 ditë në atë që OKB-ja tani e quan “krizën më të shpejtë të refugjatëve në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore”.