Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky të dielën e quajti Gjermaninë një “mike të vërtetë” në betejën e vendit të tij kundër Rusisë, ndërsa Berlini u zotua për mbështetje të palëkundur për Kyivin përpara një kundërofensive që pritet të fillojë.
Berlini zbuloi një paketë të re ushtarake për Kyivin me vlerë 2.7 miliardë euro, më e madhja deri më tani për Ukrainën, pak para vizitës së parë të Zelensky në Gjermani që nga pushtimi rus.
“Në kohën më sfiduese në historinë moderne të Ukrainës, Gjermania dëshmoi se ishte miku ynë i vërtetë dhe aleati ynë i besueshëm, i cili qëndron me vendosmëri krah për krah me popullin ukrainas në luftën për ta mbrojtur lirinë dhe vlerat demokratike”, shkroi Zelensky në librin e të ftuarve në rezidencën zyrtare të kreut gjerman.
Ai e falënderoi gjithashtu kancelarin Olaf Scholz për “mbështetjen e fuqishme” të Gjermanisë në formën e paketës së armatimit, duke thënë se “çdo gjë në këtë paketë sigurie do ta forcojë ndjeshëm mbrojtjen tonë”.
“Tani është koha që ne ta përcaktojmë fundin e kësaj lufte këtë vit. Këtë vit, ne mund ta bëjmë humbjen e agresorit të pakthyeshme”, tha ai.
Scholz përsëriti mbështetjen e vendosur të Berlinit, duke i thënë drejtpërdrejt Zelenskyt: “Ne do t’ju mbështesim për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.
Zelensky tha se do t’i kërkojë Scholz-it t’i dërgojë avionëve luftarakë.