I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e ka quajtur “katastrofik” dhe “jokompetent” vendimin e autoriteteve të Kosovës për të zbatuar rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) që e përcakton euron si valutën e vetme për kryerje të pagesave me para të gatshme.
Kështu është pamundësuar përdorimi i dinarit serb në komunat me shumicë serbe në Kosovë.
Escobar i ka përmendur disa arsye pse SHBA-ja nuk pajtohet me mënyrën e zbatimit të rregullores së BQK-së: shpejtësia me të cilën është zbatuar, mungesa e ofrimit të ndonjë alternative për të pranuar paratë, nuk janë kontaktuar komunitetet e prekura prej vendimit, komuniteti ndërkombëtar ka pasur vështirësi që ta bindë Kosovën që të ofrojë ndihmë teknike.
“Qeveria e Kosovës duhet të punojë me komunitetin ndërkombëtar për të gjetur zgjidhje për këtë vendim, që do ta quaja katastrofik dhe madje jokompetent, të zbatimit të vendimit që ka krijuar kaos në ekonominë e Kosovës”.
Ai i ka bërë këto deklarata në Bruksel gjatë një bashkëbisedimi të hapur me gazetarë.
Diplomati amerikan ka rikujtuar se Francës i është dashur gati një vit për të adoptuar euron, përderisa, “në veri të Kosovës kanë dashur ta zbatojnë vendimin brenda 3 javëve”.
Escobar ka përsëritur që Shtetet e Bashkuara nuk e kundërshtojnë legjitimitetin e vendimit, mirëpo kanë probleme me mënyrën e zbatimit dhe për ndikimin që ka te komuniteti serb.
Qysh prej 10 marsit e deri më 18 mars, Escobar do të realizojë një mori takimesh në Belgjikë, Kosovë, Austri dhe Mal të Zi.
Escobar pritet t’i nisë takimet në Prishtinë më 13 mars.
Ai ka thënë se gjatë vizitës në Prishtinë, do të ketë në fokus një “zgjidhje të mundshme për vendimin e pakoordinuar për ta ndaluar dinarin, si dhe për transferet prej Serbisë për qytetarët e Kosovës, të cilët varen prej tyre”.
Serbia deklaron se ndan miliona euro për serbët në Kosovë dhe ua paguan atyre rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.
‘Probleme në komunikim’ me Kurtin
Escobar e ka pranuar se ekziston një çarje në komunikimet diplomatike mes SHBA-së dhe Kosovës.
“Partneriteti në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është mes popullit amerikan dhe atij të Kosovës, nuk depërton përmes një njeriu në Kosovë, apo një partie. Mirëpo, më duhet të them që aktualisht kemi probleme në komunikim me kryeministrin [e Kosovës, Albin Kurtin]. Dhe jo vetëm SHBA-ja, është problem që e ka Kosova edhe me BE-në, NATO-n, Mbretërinë e Bashkuar dhe më shumë partnerë, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.
Ai ka thënë se komunikimi me Kosovën ka qenë shumë i mirë në të kaluarën dhe shpreson që e njëjta situatë do të jetë edhe në të ardhmen.
I pyetur pse nuk po e viziton edhe Maqedoninë e Veriut, ai ka thënë se situata në Kosovë është “e tmerrshme, prandaj më duhet ta vizitoj Kosovën”.
Dialogu është në ‘moment kritik’
Escobar e ka konsideruar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë – të nisur qysh më 2011, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian – “në një moment kritik”.
Ai e ka pranuar se Uashingtoni ka probleme në drejtimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe asaj të Ohrit “në rrugën e duhur”, dhe që sipas perspektivës amerikane, “nuk ekziston asnjë alternativë përveç dialogut”.
Ai e ka përmendur në mënyrë specifike që prej Kosovës kërkohet të punojë drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa prej Serbisë që zotimet e bëra të jenë ligjërisht obliguese dhe të pakthyeshme.
I pyetur për pasojat e mundshme ndaj Kosovës dhe Serbisë për moszbatim të Marrëveshjes së Ohrit, Escobar e ka përmendur ngadalësimin në rrugën e integrimeve evropiane.
Në shkurt të vitit 2023, Kosova dhe Serbia kanë arritur pajtueshmëri për një marrëveshje me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Në mars të atij viti, në Ohër është arritur pajtueshmëri edhe për aneksin e zbatimit të marrëveshjes bazike.
‘Asociacioni do ta zgjidhte punën e dinarit’
Sa i përket një draft-statuti të hartuar prej Perëndimit, për formim të Asociacionit, Escobar ka thënë se Qeveria e Kosovës “nuk ka dhënë kurrë përgjigje të plota nëse e pranon ashtu siç është, dhe nuk e kuptojmë pse nuk e dërgojnë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese”.
Escobar ka thënë se ka dëgjuar shumë arsyetime, por nuk e pranon asnjërën prej tyre dhe e ka inkurajuar Qeverinë e Kosovës që të ecë përpara, duke garantuar që Asociacioni “nuk do të jetë Republika Sërpska, nuk do të jetë shtet brenda shtetit, nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe asgjë që mund të krijojë probleme kushtetuese për Kosovën”.
Për të, Asociacioni përbën thjesht mundësi që komunat me shumicë serbe të koordinohen për të ofruar shërbimet komunale në gjuhën serbe për qytetarët e Kosovës.
Në fakt, sipas Escobarit, edhe çështja me dinarin serb do të mund të zgjidhej përmes Asociacionit.
“Asociacioni, siç është rekomanduar prej të dërguarit të posaçëm të BE-së, përfshin dispozita për transferim transparent të parave prej Serbisë… prandaj vetë Asociacioni do ta zgjidhte punën e dinarit”.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.