Kosova pritet që të avancojë sa i përket zbatimit të Marrëveshjes së vitit 2011 për njohjen e diplomave, marrëveshje për të cilin në vitin 2016, Kosova dhe Serbia ishin pajtuar që të filloj së zbatuari.Përveç verifikimit të diplomave të lëshuara nga Universiteti paralel i Mitrovicës së Veriut, Komisioni për Verifikim pritet që të fillojë edhe verifikimin e diplomave të lëshuara nga shkollat e mesme që funksionojnë sipas sistemit paralel të Serbisë.
Elizabeth Gowing, kryesuese e Komisionit për Verifikimin e Diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut, në një përgjigje për Gazetën Express, ka thënë se tashmë Komision që drejton ka për obligim edhe fillimin dhe verifikimin e diplomave të shkollave të mesme serbe në Kosovës.
Gowing ka sqaruar se kjo vjen pas vendimit të Qeverisë së Kosovës të marrë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të datës 27 tetor 2023.
Siç sqaron ajo, Komisioni që drejton ka filluar të funksionoj sipas Marrëveshjes së Brukselit në vitin 2016.
“Ky proces nuk është bërë më herët, as prej Zyrës së Kryeministrit, as prej një institucioni tjetër. Me vendimin e Qeverisë, Komisioni për Verifikimin e Diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut (një komision që ka filluar të funksionoj sipas Marrëveshjes së Brukselit në vitin 2016), tash ka obligim për me fillue edhe verifikimin e diplomave të shkollave të mesme serbe në Kosovë”, ka thënë Gowing për Express.
Ajo ka thënë se Komisioni për Verifikimin e diplomave të shkollave të sistemit serb në Kosovë, ka dhe dy anëtarët nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Çështja e njohjes së diplomave universitare është diskutuar në Bruksel në dialogun ndërmjet Kosovë dhe Serbisë. Kjo marrëveshje parasheh që edhe autoritetet e Serbisë t’i njohin diplomat e studentëve nga Lugina e Preshevës, të cilët kanë studiuar në Kosovë.
Numri dy i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë një vizite në Luginë në shtator të vitit 2022 kishte thënë se duhet trajtuar edhe çështja e njohjes së diplomave, mes shumë problematikave që shqiptarët përballen atje.
“Ka ardhur momenti që çështja e Luginës së Preshevës të marrë vëmendje edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Problematikat serioze si shpopullimi, garantimi i të drejtave për shqiptarët, regjistrimi i popullsisë, njohja e diplomave, mungesa e investimeve nga institucionet, tashmë duhet të trajtohen gjerësisht” kishte shkruar zv.kryeministri Bislimi.
Procesi i Verifikimit të diplomave kishte nisur qysh në vitin 2016, kohë kur MASHT-i drejtohej nga Arsim Bajrami. Bajrami atë kohë kishte deklaruar se është koha që e kaluara e hidhur të lihet prapa dhe të ketë qasje të barabartë për të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Ka ardhur koha që ta lëmë pas të kaluarën tonë të hidhur dhe të ketë qasje të barabartë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Fokusi tjetër i yni parasheh edhe bashkëpunimin me shkolla”, kishte thënë Bajrami në vitin 2016.
Marrëveshja për fillimin e zbatimit të Marrëveshjes për njohejn e diplomave në mes të Kosovës dhe Serbisë ishte arritur në janar të vitit 2016, kur negociatat i drejtonte Edita Tahiri. Palët ishin marrë vesh që zbatimi të filloj nga 1 marsi 2016.
“Ministrja për Dialog Edita Tahiri, njëherësh kryenegociatore në dialogun e Brukselit ka theksuar se kjo është një marrëveshje e re për diplomat, e cila është më e zgjeruar se ajo e vitit 2011, sepse përfshinë njohjen reciproke të diplomave të të gjitha niveleve të shkollimit, prej shkollës fillore deri te arsimi i lartë universitar si dhe nivelet profesionale. Me këtë marrëveshje Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të njohin reciprokisht këto diploma: diplomat e shkollës fillore, të mesme, shkollimit vokacional, nivelin e pestë të kualifikimeve sipas kornizës së kualifikimeve evropiane (EQF), diplomat bachelor, master dhe doktoraturat”, thuhej në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
Tahiri atë kohë kishte drejtuar gishtin e fajit kah Serbia, për vonesat në fillimin e zbatmit të kësaj marrëveshje për të cilën palët kishin rëndë dakord qysh në vitin 2011.