Drejtori i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, Visar Ymeri, tha se qortimi për këtë çështje nuk është dashur të jetë i njëjtë për dy shtetet.
“Nuk është vërejtja për zbatimin e reciprocitetin por për mënyrën e zbatimit. Mendoj që këtu ka qenë brenga e ndërkombëtare për një mundësi të eskalimit të situatës. Mendoj që nuk është e drejtë të përdoret i njëjti qortim edhe për Kosovën edhe për Serbinë, sepse megjithatë Kosova po e dërgon Policinë e vetë brenda territorit të vet të njohur nga këto shtete, ndërkohë që Serbia po kërcënon me ushtri. Po sidoqoftë përtej asaj sesa është e drejtë apo jo, mënyrën sesi e shohin këtë situatë. BE-ja edhe ShBA-ja kërkojnë që të kemi një qasje tjetër më të kujdesshme dhe mënyra sesi e shtrijmë sovranitetin duhet të jetë e koordinuar me ta, që të parandalohet një eskalim i mundshëm i situatës. Mendoj që kjo është qasja që e kanë dhe kanë pasur vazhdimisht shtetet e perëndimit. Askush nuk po e gjykon Kosovën për zbatimin e masave reciproke, po jo të bëhet domosdoshmërish me Njësi Speciale”.
Drejtori i kolegjit “ISPE”, Avni Mazrreku, tha se gjendja në veri ka qenë delikate që nga viti 1999.
Tutje, Mazrreku thotë se të gjitha vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës duhet ta përkrahin edhe vendimin për reciprocitet, pasi sipas tij është zbatim për mbrojtjen e integritetit territorial.
“Situatë në veri nuk është asgjë e re. Kjo pjesë ka qenë fragjile që nga 12 qershori i 1999, aty ku Kosova ka pasë më së shumti problemet. E dimë që pas luftës e kemi pas një mision që e ka administrua Kosovën, UNMIK, as ata nuk kanë mundur të ushtrojnë autoritetin e tyre në atë pjesë. Po ashtu, edhe ardhja e EULEX, që mandat e kanë pasë mbështetjen e institucioneve të Kosovës për një periudhë në tranzicion, mund të konsiderohet e dështuar. Kosova po bën përpjekje me demonstrua që territori i saj është i pa ndarë, integriteti territorial është i pacenuar. Vendet e QUINT kanë pas kritika sa i përket veprimet e Qeverisë së Kosovës marr parasysh të dhënat aktuale që gjendet Ballkani Perëndimor. Sido që të jetë veprimet e shtetit të Kosovës duhet të shihen si veprime të një shtetit sovran, në kontest që e kanë obligim kushtetues në mbrojtjen e territorit”.
“Çdo vend që e ka njohur pavarësinë e Kosovës duhet të jetë në këtë linjë, pasi nuk mund të kundërshtohet një veprim i shtetit sovran për të ushtruar pushtetin shtetëror në territorin e saj. Në këtë linjë duhet të jenë të gjithë vendet që e kanë njohur Kosovën”.
Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, kanë arritur pajtueshmëri më 30 shtator për çështjen e targave dhe zhbllokimin e veriut.
Sipas marrëveshjes:
Njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga 2 tetori, ora 08:00 deri në orën 16:00 të asaj dite. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, do të angazhohet në këto dy pika në Jarinjë dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes të zyrtarëve policorë dhe barrikadave, dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë.
Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.
Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajturi Grup Punues, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.
Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, gjatë një konference për media në Bruksel, deklaroi të enjten se ishte e rëndësishme që Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për situatën në veri.
Ndërkaq, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell tha se pas kësaj marrëveshjeje, Kosova dhe Serbia duhet t’i rikthehen dialogut për normalizimin e raporteve.