Ish-shefi i Misionit Vëzhgues të OSBE-së në Kosovë gjatë luftës, William Walker ishte mbrëmë në emisionin “ZEN me Artan Behramin” në T7, ku foli për jetën e tij, marrëdhëniet me politikanët e Kosovës dhe pashmangshëm edhe për masakrën e Reçakut.
Walker tha se Reçaku nënkuptoi më vonë çlirimin dhe pavarësinë. Për atë fshat të vogël të Shtimes dhe banorët e tij, diplomati amerikan tha se ka “simpati shumë të madhe”.
“Po për fshatin Reçak, për banorët e fshatit Reçak kam një simpati shumë të madhe, kam një admirim të madh për ta. Fakti se ata kaluan nëpër atë se kaluan më 15 janar 1999, se çfarë u ndodhi burrave e djemve të fshatit, çfarë nënkuptonte kjo për Kosovën, ndryshoi gjithçka. Dhe tani kur shkoj në Reçak, kjo përfaqëson edhe atë se çfarë ka bërë Kosova në 25 vitet e fundit. E dini, tash banorët e Reçakut qeshin, fëmijët e tyre shkojnë në shkollë, ata tashmë po jetojnë jetën e pjesës tjetër të Kosovës, e cila ka lëvizur në një drejtim ekstremisht pozitiv. Në një mënyrë unë akoma ndjej atë se çfarë ky fshat ka vuajtur dhe vuajtjen që e përfaqësonte për gjithë popullatën shqiptare të Kosovës para vitit 1999 dhe 2000. Se vuajtjet e tyre nënkuptuan dhe ishin të rëndësishme edhe për atë se çfarë ndodhi pas vitit 2000-çlirimi, pavarësia, Republika e Kosovës. Unë me të vërtetë besoj, jo sepse isha i përfshirë vetë në të, por besoj vërtet se vëmendja e botës, vëmendja e gazetarit botëror për disa javë e muaj më pas, më vonë edhe lufta, ishte tejet dramatike. Gjithçka ndodhi si rezultat i asaj çfarë ndodhi në Reçak, më 15 janar 1999”, tha Walker.
Ai tha se sikur të mos ndërkombëtarizohej lajmi për masakrën e Reçakut, Albin Kurti sot njo vetëm që s’do të ishte kryeministër, por, siç tha ai, “me gjasë do të ishte diku në një burg serb”.
“Dhe më duhet të mendoj se 50-60% e popullatës së Kosovës që është nën moshën 30-vjeçare, mund të kuptojë se çfarë ka ndodhur atëherë dhe si kjo ka çuar te jeta që e jetoni ju sot, jeta që e bën ai bend, jeta që e bën Albin Kurti. Nëse nuk do të ndodhte Reçaku, dhe që ndodhi më vonë, Albin Kurti jo vetëm se nuk do të ishte kryeministër këtu, por me gjasë do të ishte diku në një burg serb, sepse do të vazhdonte të bënte atë që bëri para luftës me Adem Demaçin. Prandaj, kur mendoj për Reçakun, mendoj për të gjitha këto. Dhe unë e vlerësoj kur njerëzit më thonë: Walker, faleminderit që treguat të vërtetën. Kjo është puna ime! Unë duhej ta thosha të vërtetën. Jo të gjithë ata që më thanë ta them të vërtetën ishin të lumtur që thashë të vërtetën. Prej ditës që u largova nga këtu, nuk jam dëgjuar më me OSBE-në. As edhe një herë! Nuk jam pyetur as nga një person i vetëm në Departamentin e Shtetit për atë që ndodhi këtu. Zero! Në rregull, gjëra të tjera të shumta po ndodhnin nëpër botë, e kuptoj këtë. Por këtu jam pyetur për Reçakun, siç bëtë ju, dhe ajo që ndodhi në Reçak dhe ajo që pasoi, është shumë e rëndësishme”, tha Walker.
Ai paralajmëroi botimin e një libri për Reçakun, të cilin tha se do ta publikojë në Kosovë.
“Do ta publikoj atë këtu. Kam oferta prej disa njerëzve shumë, shumë të denjë që duan ta publikojnë atë, në shqip e pastaj në anglisht. Në këtë libër kam punuar për 25 vjet. U kam thënë njerëzve në Reçak, kur isha atje me gruan time, Dejzin, në 1999, 2000 se do ta shkruaj një libër e ai libër do të titullohet: “Reçaku”, dhe akoma po punoj në të”, tha Walker.