Lëvizja Vetëvendosje është shprehur e gatshme të takohet me presidenten, Vjosa Osmani për të diskutuar rekomandimet e IKSHPK-së për shtyrje të zgjedhjeve.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, Sekretari për Media dhe Komunikim në Lëvizjen Vetëvendosje, Arlind Manxhuka.
“Ne jemi të gatshëm si subjekt të takohemi me Presidenten kurdo që ajo na thërret”, tha ai.
Ndryshe, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani të hënën ka ftuar në një takim konsultativ partitë politike për të diskutuar lidhur me ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike në vend.
Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu ka thënë se kjo parti do të marr pjesë në takimin e së hënës.
“PDK nuk i është shmangur asnjëherë takimeve institucionale dhe do të merr pjesë në takimin e të hënës. Të gjitha qëndrimet dhe propozimet e PDK, kryetari Memli Krasniqi do ti shfaqë në takim”, ka thënë Abdullahu.
Insituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka rekomanduar që zgjedhjet lokale të 17 tetorit të shtyhen. Kështu është konstatuar në letrën që IKSHP-ja i ka dërguar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit.
Në letër thuhet se mbajtja e zgjedhjeve paraqet rrezik për përhapjen dhe rritjen e infeksionit me COVID-19 e si pasojë edhe rritje të rrezikut të rasteve me fatalitet.
“Në bazë të analizës së situatës aktuale epidemiologjike të rasteve me COVID-19, bazuar në raportet e rasteve të hospitalizuara dhe vdekjeve nga SHSKUK dhe spitalet rajonale, dhe profeksioneve për muajin shtator deri në fillim të tetorit, Task Team i IKSHPK-së është i mendimit se mbajtja e procesit zgjedhor, i cili ngërthen në vete tubime publike dhe grumbullim të qytetarëve, paraqet rrezik për përhapjen dhe rritjen e infeksionit me COVID-19 e si pasojë edhe rritje të rrezikut të rasteve me fatalitet. Prandaj, meqenëse procesi zgjedhor mund të ketë ndikim të shtuar në përhapjen dhe rritjen e rasteve me COVID-19, rekomandojnë shtyrjen e procesit zgjedhor, përkatësisht ndalimin e aktiviteteve publike, grumbullimit të qytetarëve dhe tubimet publike të të gjitha llojeve dhe natyrave pa përjashtim, deri në vlerësimin epidemiologjik të radhës”, ka thënë në letrën për presidenten IKSHPK-ja të publikuar nga KOHA.