Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksander Vulin, është shprehur tejet i mërzitur që ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov, s’u lejua të aterojë në Beograd pasi shtetet përreth ia mbyllën hapësirën ajrore.
Bullgaria, Maqedonia e Veriu dhe Mali i Zi, të gjitha shtete të NATO-s s’e kanë lejuar aeroplanin e kryediplomatit rus të fluturojë mbi hapësirën ajrore të këtyre shtete që për destinacion kishte ta vizitonte Serbinë të hënën.
Vartësi i Vuçiqit, Aleksander Vulin tha se ata që penguan Lavrovin “nuk duan paqe”
“Ndjej keqardhje të thellë për pengimin e vizitës së një miku të madh dhe të dëshmuar të Serbisë, Ministrit të Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Sergej Lavrov. Një botë në të cilën diplomatët nuk mund të kërkojnë paqe është një botë në të cilën nuk ka paqe. Ata që penguan ardhjen e Sergei Lavrov nuk duan paqe, ata ëndërrojnë të mundin Rusinë. Serbia është krenare që nuk është pjesë e histerisë anti-ruse dhe vendet që janë, do të kenë kohë të turpërohen”, tha ministri i Brendshëm serb Aleksandar Vulin.
Siç ishte paralajmëruar më parë, kreu i Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse duhet të vizitojë Serbinë më 6 dhe 7 qershor.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq deklaroi se situata rreth mbërritjes së ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov në Beograd është “jashtëzakonisht e komplikuar” dhe se Vuçiqi po merret me logjistikën e udhëtimit të tij.
Vuçiqi dy ditë më parë tha se vizita e ministrit rus, Sergej Lavrov tashmë është planifikuar dhe se rezultati i vizitës është i pasigurt derisa të realizohet.
“Është e mundur që gjithçka të jetë mirë, dhe ka mundësi që të mos jetë. A është gjithçka e planifikuar? Gjithçka është planifikuar”, ka thënë ai.