Tuesday, November 26, 2024
HomeLajmeKosovaVuçiq: Nuk guxoj ta prezantoj të gjithë planin evropian

Vuçiq: Nuk guxoj ta prezantoj të gjithë planin evropian

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha gjatë seancës së posaçme të Kuvendit serb se qëllimi “i ditës së sotme nuk është që përgjegjësia të bartet në këtë institucion apo te populli”.

“Qëllimi është të dal para jush dhe qytetarëve dhe sinqerisht dhe haptazi të ndaj atë që na pret dhe çfarë po përballemi”, tha Vuçiq në Kuvend.

Më 2 shkurt, Kuvendi serb po debaton për raportin e Qeverisë në Beograd lidhur me negociatat me Kosovën.

Seanca plenare po mbahet pasi presidenti i Serbisë ka pranuar propozimin nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Vuçiq tha se nuk guxon të tregojë të gjithë planin evropian para Parlamentit, por vetëm pjesët më të këqija për Serbinë.

“Ajo që është më e rëndësishme është se plani është korniza politike, momenti në të cilin ndodh gjithçka”, tha Vuçiq.

Propozimi i BE-së, apo siç njihet edhe si plani franko-gjerman, mbështetet edhe nga Shtetet e Bashkuara.

Plani nuk është bërë publik, por u është prezantuar palëve.

Në atë dokument, në të cilin Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje më herët, nuk përmendet në mënyrë eksplicite njohja reciproke apo anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Por, në dokument përmendet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane. Gjithashtu, Serbisë i kërkohet që të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë bisedime me ndërmjetësimin e BE-së që nga vitit 2011. Procesi ka për qëllim normalizimin e plotë të raporteve përmes një marrëveshjeje përfundimtare, ligjërisht të obligueshme. Kosova kërkon që kjo marrëveshje të përfshijë edhe njohjen reciproke, ndërsa Serbia insiston në një zgjidhje kompromisi – pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë. /REL

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments