Policia e Kosovës ka dal me raport për vrasjen e djeshme në Batllavë të Podujevës, ku mbeti i vrarë një 48-vjeçar me inicialet G.B.
Nga i dyshuari thuhet se është sekuestruar një pistoletë e cila dyshohet se ishte përdorur në këtë rast, derisa i dyshuari është dërguar në mbajtje.
“Fsh. Batllavë, Podujevë 18.10.2021 – 08:16. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se me armë zjarri kishte privuar nga jeta viktimën mashkull kosovar. Në vendin e ngjarjes përveç njësive relevante të policisë ka dalë ekipi mjekësor i ndihmës së shpejtë urgjente dhe nga mjeku është konstatuar vdekja e viktimës.
Nga i dyshuari është sekuestruar një pistoletë e cila dyshohet se ishte përdorë në rast. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, kurse trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raport.
Ndryshe, mëngjesin e djeshëm u vra G.B., 41-vjeçar, në fshatin Batllavë të Podujevës, rrugës duke shkuar në punë. I dyshuari kryesor i kësaj vrasjeje është kushëriri i viktimës, B.B., 47-vjeçar, tashmë i arrestuar.
Sipas të afërmve të viktimës dhe dorasit, dyshja kishin pasur vazhdimisht probleme. Vrasjes i ka paraprirë edhe një mosmarrëveshje e ndodhur dje mes tyre, ku sipas policisë, i dyshuari kishte shtënë më armë zjarri në drejtim të shtëpisë së viktimës. Por, dje i dyshuari ishte arratisur.
Shtëpia e viktimës dhe dorasit ndodhen shumë afër njëra-tjetrës. Në mes kanë vetëm një mur ndarës, ndërsa Policia e Kosovës po kujdeset për sigurinë e tyre. Për tragjedinë e ndodhur dje kanë folur fqinjët.
Gjatë qëndrimit të ekipit të Gazetës Express, Policia e Kosovës e tërhoqi kamionetën me të cilën dyshohet se fillimisht u shkel 41-vjeçari, e më pas u vra. Bashkë me kamionetën u tërhoq edhe biçikleta me të cilën viktima po udhëtonte për të shkuar në punë.
Fqinjët thanë se kushërinjtë kanë pasur probleme të vazhdueshme dhe të ndryshme mes vete, përfshirë ato pronësore. Ndërsa, 41-vjeçari dyshohet se fillimisht u shkel me kamionetë nga kushëriri i tij, e më pas u vra me armë zjarri.
Kushërinjtë kishin pasur probleme mes vete edhe ditën e djeshme, madje i dyshuari kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të shtëpisë së viktimës, por i njëjti nuk ishte arrestuar pasi ndodhej në arrati.
Rasti në polici ishte hapur si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe përdorim i armës”.
“Podujevë, 17.10.2021 – 13:40. Viktima mashkull kosovar ka raportuar se pas një mosmarrëveshje i dyshuari mashkull kosovar, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të shtëpisë së tij. Në e vendin e ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar një gëzhojë si provë materiale. Nuk raportohet për të lënduar. I dyshuari gjendet në arrati, rasti vazhdon të hetohet”, ka njoftuar policia me anë të raportit 24-orësh.
Express duke u thirrur në burime të veta raportoi sot se dyshimet fillestare për vrasjen e 41-vjeçarit lidhen me probleme pronësore. Pas tragjedisë, trupi i pajetë i viktimës u dërgua në IML për obduksion, ndërsa 47-vjeçari i dyshuar u dërgua në mbajtje, gjithashtu u sekuestrua edhe arma e zjarrit që dyshohet se u përdor në këtë rast.
Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qellim të sqarimin të rrethanave të ketij rasti.
Rasti është cilësuar si “Vrasje e rëndë”.