Gjykata e Apelit e ka kthyer në paraburgim Ilir Abdullahun, i dyshuar për vrasjen e policit Triumf Riza.
Abdullahu ishte liruar nga paraburgimi nga Gjykata e Prishtinës pasi kishte kishte dhënë 100 mijë euro dorëzani. Por, Apeli e ka miratuar kërkesën e Prokurorisë, e cila ishte ankuar ndaj vendimit të Gjykatës Themelore.
Lajmin për kthimin në paraburgim të Ilir Abdullahut për KALLXO.com e ka konfirmuar gjykatësi i çështjes, Kujtim Krasniqi.
“Po, sot Apeli ka marrë vendimin dhe unë e kam lëshuar urdhëresën dhe i pandehuri është paraqitur në stacion”, tha Krasniqi.
Ilir Abdullahu kishte qenë në kërkim të Policisë për afër 15 vite.
Ai ra në pranga më 16 korrik 2023.
Prokurori i rastit, Shpëtim Peci, tha se kishte ushtruar ankesë ndaj vendimit të Gjykatës, por se nuk e kishte pranuar ende vendimin.
“Unë kam bërë ankesë në lidhje me vendimin e Gjykatës për dorëzaninë. Është marrë vendimi për rivendosje prapë kam ushtruar ankesë sepse e kam parë të rrugës dhe të drejtë që personi të jetë në masën e paraburgimit por për ankesën e dytë nuk kam marrë asnjë vendim apo përgjigje nga ana e Gjykatës andaj nuk e di nëse është bërë riarrestimi i tij sepse unë e kam ushtru të drejtën time të ankesës por për ankesën e dytë s’kam vendim”, tha prokurori special.
Ilir Abdullahu, i njohur si “Liza”, dyshohet për veprën penale – vrasje e rëndë që ishte kryer më 30 gusht të vitit 2007 në Prishtinë, ku i vrarë kishte mbetur Triumf Riza që shërbente si polic në Shërbimin Policor të Kosovës.
Në drejtim të Rizës u gjuajtën 11 plumba nga Arben Berisha, dhe tre nga ta e goditën duke e plagosur për vdekje.
I njëjti që nga arrestimi ka qenë në paraburgim, përderisa më 3 tetor 2023 avokati i tij, Ramë Dreshaj, kishte paraqitur kërkesën për zëvendësimin e masës së paraburgimit me atë të dorëzanisë në shumë prej 50 mijë euro ose më shumë.
Cili ishte roli i Ilir Abdullahut në vrasjen e Triumf Rizës?
Akuza e Prokurorisë Speciale që është ngritur ndaj Enver Sekiraqës, pretendon se Arben Berisha për të kryer aktin në fjalë u nxit nga Sekiraqa, e ky i fundit Berishën e kishte njeri të besueshëm.
Po ashtu akuza pretendon se Arben Berisha privimin nga jeta të Rizës e kishte bërë në bashkëkryerje me Rrahim Abdullahun, Ilir Abdullahun dhe me Fitim Avdiun.
Në akuzën e parë me të me të cilën ngarkohet i pandehuri Enver Sekiraqa, në të cilën shpjegohet në detaje se si kishte ardhur deri te vrasja e Triumf Rizës, tregohet edhe roli që kishte Ilir Abdullahu që u arrestua 15 vite më pas.
Dosja thotë se katër të akuzuarit vrasjen e Rizës e kanë bërë në mënyrë shumë mizore dhe mashtruese për shkak të një hakmarrjeje të paskrupullt apo ndonjë motiv tjetër.
“Respektivisht hakmarrje personale kundër të përmendurit Triumf Riza” – thuhet në akuzë.
Akuza shpjegon se si para vrasjes, grupi në fjalë, pra katër të akuzuarit, kanë bashkëpunuar mes vete dhe kanë përcjellë lëvizjet e Rizës me qëllim që të ndiqnin rrugët e tij. Ishte po ajo ditë kur Ilir Abdullahut i kishte ardhur mesazhi “Komshiu e ka makinën në parkingun e Grandit”.
Ky mesazh ishte dërguar në telefonin e Ilirit nga Fitim Avdiu, gjatë kohës kur ai së bashku me Enver Sekiraqën, Arben Berishën dhe Rrahim Abdullahun ishin në kafenenë “Sekiraqa” në bulevardin “Bill Clinton”.
Ky mesazh, sipas akuzës, i referohej viktimës Triumf Riza, banesa e të cilit thuhet se ishte në anën e kundërt të rrugës ku gjendej kafeneja “Sekiraqa”, e i cili në atë kohë gjendej në hotelin “Grand” të Prishtinës.
Me të pranuar këtë SMS, akuza thotë se Arben Berisha, Rrahim Abdullahu dhe Ilir Abdullahu, duke e vozitur makinën e këtij të fundit, që ishte e tipit “Passat”, kanë shkuar në kafenenë “Queens”.
Në këtë kafene, Arben Berisha u tha se është futur i armatosur me ‘Glock’, përderisa dy të tjerët, pra Rrahim e Ilir Abdullahu vazhdojnë në një kafene tjetër me qëllim që ta prisnin Triumf Rizën.
Riza pretendohet se ka qenë klient i rregullt në kafenenë ‘AM/PM’ e pasi ai del nga aty dhe fillon të ecë në drejtim të makinës së tij, e cila ishte në parkingun “Flamurtari” në Dardani, ai qëllohet me armë.
Akuza tregon se Arben Berisha kishte vrapuar pas tij dhe kishte shtënë me 11 plumba pa kurrfarë paralajmërimi apo provokimi.
Tre prej plumbave të shkrepur kishin goditur Triumf Rizën duke e plagosur atë për vdekje.
“Mënyra e vrasjes ka qenë mizore dhe mashtruese pasi që ka qenë e para-planifikuar dhe është ekzekutuar nga një grup kundër një viktime të pambrojtur e që është qëlluar nga prapa” – thuhet në akuzë kundër Enver Sekiraqës.
Akuza tutje thotë se vrasja është organizuar dhe koordinuar nga një numër individësh të cilët ishin anëtar të grupit të ashtuquajtur “Grupi Sekiraqa”, lider i të cilit ishte vetë i akuzuari Enver Sekiraqa.
Triumf Riza, sipas kësaj akuze, është vrarë pasi gjatë viteve që kanë shpirë deri te vrasja e tij, ai kishte qenë shënjestër për hakmarrje.
Në vitin 2004, Riza ishte shoqëruar me Adelina Ismajlin, e që akuza thotë se që nga vitin 2003 ajo kishte qenë duke vuajtur në duart e të pandehurit e të bandës së tij pasi që Enver Sekiraqa shpesh e kishte kërcënuar atë.
Madje, akuza thotë se në shumë raste, Sekiraqa e kishte detyruar Adelina Ismjalin t’i jepte atij shuma të ndryshme parash që varionin nga qindra euro deri në 9 mijë euro.
Detyrimet akuza thotë se kishin përfunduar atëherë kur Triumf Riza e kishte marrë në mbrojtje Adelina Ismajlin.
Riza tregohet se i kishte thënë Ismajlit të refuzonte t’i bënte këto pagesa parash Enver Sekiraqën dhe të raportonte në Polici çfarëdo rasti tjetër të frikësimit.
Po ashtu, akuza tregon se më 24 dhjetor të vitit 2005, në një klub nate të quajtur “Swiss Casino” në Prishtinë, kishte ndodhur një përleshje e dhunshme mes Triumf Rizës dhe bandës së Enver Sekiraqës.
Në këtë përleshje kishte pasur edhe të shtëna armësh dhe ishin lënduar një numër individësh.
Në këtë incident është thënë se është lënduar edhe vetë Enver Sekiraqa, i cili ishte shtruar në spital, si rezultat i incidentit të dhunshëm me Rizën.
Ky incident, sipas akuzës, ka shtyrë Enver Sekiraqën që aktivisht të kërkojë hakmarrjen kundër Triumf Rizës.
Më pas, edhe më 22 maj 2006, Enver Sekiraqa ishte përfshirë në një incident të dhunshëm me pjesëtarë të tjerë të Policisë së Kosovës në Ferizaj.
Për këtë, i pandehuri gjithashtu fajëson Triumf Rizën duke besuar se ai i kishte inkurajuar kolegët e tij policor që të sulmonin Sekiraqën.
Akuza thotë se duke qenë se ishte në kërkim të hakmarrjes dhe i inatosur me veprimet e Triumf Rizës, në periudhën deri te vrasja e tij, Enver Sekiraqa dhe banda e tij shumë shpesh e kanë ndjekur atë me makina duke përpjekje për ta lënduar dhe frikësuar.
Po ashtu, akuza thotë se pretendohet se Enver Sekiraqa e kishte orkestruar vrasjen e Triumf Rizës, duke e organizuar bandën e tij që ta ndiqnin Triumf Rizën dhe duke e nxitur Arben Berishën, i cili ishte personi i tij i besuar brenda grupit që të shtinte të shtënat e vrasjes.
Triumf Riza tregohet se asnjëherë nuk kishte pasur ndonjë problem me Arben Berishën, por vetëm me Enver Sekiraqën. /