Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKosovaVozitësit me targa serbe pa letra ngjitëse do të gjobiten pas 8...

Vozitësit me targa serbe pa letra ngjitëse do të gjobiten pas 8 tetorit

Deri më 8 tetor, të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë automjete me targa të Serbisë dhe që qarkullojnë brenda territorit të Kosovës, duhet të pajisen me letrat ngjitëse (stickers) të cilat duhet të vendosen mbi simbolet shtetërore në targat e tyre, kanë deklaruar zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.

Jeta Tela, shefe e kabinetit dhe këshilltare e lartë politike e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë thotë se që nga 8 tetori, automjetet që kanë targa të Serbisë dhe mbi simbolet e të cilave nuk janë vendosur letrat ngjitëse, do të sanksionohen sipas ligjit.

“Në raste të tilla, prej të premtes, prej datës 8 tetor, kushdo që zihet brenda territorit të Kosovës pa stickers (letra ngjitëse), atëherë do të gjobitet në bazë të Ligjit për trafik”, thekson Tela.

Megjithatë, zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe as Policia e Kosovës nuk e kanë bërë të ditur sesa do të jetë shuma monetare e gjobës ndaj vozitësve që qarkullojnë me targa të Serbisë dhe pa letra ngjitëse.

Më 30 shtator, përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë në dialogun në Bruksel, janë pajtuar që automjetet e të dyja vendeve, gjatë qarkullimit në territorin e njëra-tjetrës, të vendosin letra ngjitëse mbi simbolet shtetërore të vendit përkatës në targat e automjeteve.

Zbatimi i kësaj marrëveshjeje ka nisur më 4 tetor dhe në vendkalimet kufitare, të dyja palët kanë nisur t’i pajisin automjetet e vendeve përkatëse me letra ngjitëse për targat e tyre.

Hutimi i qytetarëve për letrat ngjitëse për targat?

Fillimi i zbatimit të marrëveshjes për targat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila u arrit më 30 shtator, për disa qytetarë serbë që jetojnë në Kosovë dhe kanë automjete me targa të Serbisë, ka shkaktuar huti. Ata nuk e dinë se ku mund të pajisen me letra ngjitëse për targat e automjeteve të tyre përveç se në vendkalimet kufitare.

Millena, një qytetare serbe nga Graçanica, thotë se automjeti i saj bartë targa të Serbisë, ndërkohë që pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me Serbinë për targat, që kishte nisur të zbatohej më 20 shtator, ajo kishte marrë targat e përkohshme, me të cilat qarkullon ende.

Në një bisedë me Radion Evropa e lirë, Millena thotë se ajo jeton në Kosovë dhe nuk ka dalë jashtë territorit të Kosovës në mënyrë që kur të hyjë në ndonjë vendkalim kufitare të marrë letrat ngjitëse për targat. Deri më tash, sipas saj, nuk kanë marrë ndonjë sqarim nga autoritetet e Kosovës se ku duhet qytetarët që janë brenda Kosovës dhe që kanë automjete me targa të Serbisë, të pajisen me letrat ngjitëse.

“Thjesht, në jemi gjetur në situatën që në Kosovë jemi me targa të përkohshme dhe nuk e dimë se farë të bëjmë më tutje. Në fakt, unë me ato targa të përkohshme kam qarkulluar dhe kam ardhur në punë dhe nuk pata ndonjë problem edhe pse kishte policë në rrugë. Kam parë edhe automjete të tjera që qarkullojnë me targa të përkohshme. Por, pyetja është se çfarë të bëjmë tutje, sepse ende nuk kemi një informacion zyrtar se çfarë të bëjmë, a duhet të shkojmë në vendkalime kufitare të për t’i marrë letra ngjitëse apo kjo do të mundësohet në qendrat e regjistrimit, ashtu si ishte rasti edhe me targat e përkohshme”, thekson Millena.

Ajo shton se për të mbetet e paqartë edhe fakti se a vazhdojnë të vlejnë targat e përkohshme për 60 ditë, siç ishte paraparë me rastin e pajisjes me ato targa apo duhet hequr ato dhe në targat serbe të vendosen letrat ngjitëse.

Millosh, një qytetar serb nga Mitrovica e Veriut, thotë se automjetin e ka me targa të Serbisë, por së fundmi nuk ka kaluar përmes ndonjë vendkalimi kufitar, në mënyrë që të pajiset me letra ngjitëse për targat.

“Me sa po shoh, tashmë kanë nisur t’i vendosin letrat ngjitëse. Nuk e di se ku pajisen, por mendoj që në Qendrën për Regjistrim të Automjeteve”, thotë Milloshi.

Këshilltarja e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Jeta Tela sqaron se qytetarët e Kosovës që kanë automjete me targa të Serbisë, mund të pajisen me letrat ngjitëse në dy mënyra.

“Furnizimi me stickers (letra ngjitëse) bëhet në të gjitha pikat kufitar, në 13 pika kufitare. Ndërkaq automjetet që janë brenda territorit të vendit me targa të Serbisë, mund të furnizohen me të gjitha qendrat ku bëhet regjistrimi i automjeteve”, thekson Tela.

Targat ‘KM’, me letra ngjitëse

Por, në katër komunat e veriut të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, të cilat janë të banuara me shumicë serbe, vazhdojnë të qarkullojnë automjetet të cilat janë regjistruar në Serbi dhe kanë targat me akronimet e qyteteve të Kosovës, për shembull sikurse targat me akronimet ‘KM’ (Mitrovicë), ‘GL’ (Gjilan), ‘UR’ (Ferizaj), ‘PZ’ (Prizren), ‘PRÇ (Prishtinë).

Bojan, qytetar serb nga Mitrovica e Veriut thotë se nuk ka ide nëse duhet të vendosë letra ngjitëse në targat e automjetit të tij, për shkak se e ka të regjistruar në Serbi dhe me targa ‘KM’, që janë akronime të qytetit të Mitrovicës.

“Nuk e di dhe aktualisht nuk jemi të informuar për sa u përket letrave ngjitëse. Mendoj që nuk do të duhej t’i vendos letrat ngjitëse, marrë parasysh që unë kam targa ‘KM’”, thotë ai.

Autoritetet e Kosovës kanë deklaruar se targat me akronimet e qyteteve të Kosovës, të cilat lëshohen nga autoritetet në Serbi, janë jolegale dhe çështja e tyre do të trajtohet nga ekipin i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme për targat.

Megjithatë, siç ka deklaruar zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në seancën e Kuvendit të Kosovës, më 4 tetor, edhe për këto targa do të vlejë rregulli i letrave ngjitëse.

“Për herë të parë kjo marrëveshje (e 30 shtatorit) i trajton këto targa si jolegale, si targa të një shteti që nuk e njohim dhe rrjedhimisht i mbulojmë me stickers (letra ngjitëse). Këto targa nuk mbulohen me stickers në Serbi, por në Kosovë dhe me marrëveshje për gjashtë muaj”, u shpreh Bislimi.

Marrëveshja e 30 shtatorit në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është arritur pas 11 ditësh pas bllokimit me kamionë dhe mjete të rënda të rrugëve që çojnë në vendkalimet kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak. Bllokimi i rrugëve ishte bërë nga serbët lokalë, të pakënaqur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për masën e reciprocitetit me Serbinë për targat, e cila nisi të zbatohej më 20 shtator. Për zbatimin e kësaj mase, autoritetet e Kosovës dërguan në Jarinjë dhe Bërnjakë njësitë speciale të Policisë së Kosovës, për të siguruar zbatimin e kësaj mase nga zyrtarët e policisë kufitare dhe autoritetet doganore të vendosur në ato pika kufitare.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments