Derisa në Slloveni po zhvillohet samiti i Bërdos, ku janë mbledhur 27 drejtues të shteteve ndërkombëtare, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen është deklaruar edhe lidhur me situatën e krijuar së fundi në Kosovë.
Ursula von der Leyen foli për marrëveshjen e arritur në mes Kosovës dhe Serbisë, sa i përket targave të automjeteve.
Ajo deklaroi se marrëveshja për targat në mes dy shteteve ka qenë një mesazh i shkëlqyer, transmeton lajmi.net.
“Marrëveshja për targat e arritur javën e kaluar mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me reciprocitetin për targat ka qenë një mesazh i shkëlqyer që tregon që është e mundur që të dyja palët të ulen në tavolinën e negocimit duke treguar vullnetin për te gjetur një zgjidhje”, theksoi ajo.
Përveç kësaj, Ursula von der Leyen tha se Bashkimi Evropian nuk është asnjëherë i kompletuar pa Ballkanin Perëndimor.
“Mesazhi kryesor i Komisionit është shumë i qartë, së pari Ballkani Perëndimor është pjesë e të njëjtën Evropë siç është edhe Bashkimi Evropian. Ne ndajmë të njëjtën histori, të njëjtat vlera dhe të njëjtin fat dhe besoj fuqishëm se kemi edhe të njëjtin fat”, tha Von der Leyer.
Tutje ajo deklaroi se “Bashkimi Evropian nuk është i kompletuar pa Ballkanin Perëndimor. Ne duam Ballkanin Perëndimor në Bashkim Evropian, dhe nuk mund të ketë asnjë dyshim që qëllimi ynë është zgjerimi”.