Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeVlerësimet në Bruksel që acaruan qeverinë, Kryeziu e Muja në “luftë” me...

Vlerësimet në Bruksel që acaruan qeverinë, Kryeziu e Muja në “luftë” me Stanon

Bashkimi Evropian vlerëson se Kosova duhet të bëjë edhe disa hapa tjerë, për ta merituar heqjen e sanksioneve që iu vendosen në qershor. Pushtetarët në Kosovë akuzojnë BE-në se po ndëshkon padrejtësisht Kosovës dhe po falë sjelljet e Serbisë. Zëdhënësi i BE-së tha se Qeveria e Kosovës s’ka pasur “sjellje evropiane”, ndërsa zëdhënësi i Qeverisë e ka pyetur BE-në se çka duhet të bëjë më shumë Kosova.

Kosovës nuk iu hoqën masat ndëshkuese, ndonëse ka bërë hapa për zbatimin e marrëveshjes për de-eskalimin e situatës në veri. Zëvendëskryeministri Benik Bislimi shprehej i habitur që, edhe pasi ai pranoi marrëveshjen me BE-në për shtensionimin e veriut, Kosovës nuk po i hiqeshin masat ndëshkuese. Dhe, habia po vazhdon. Zyrtarët e Qeverisë dhe Lëvizjes Vetëvendosje vazhdojnë ta kritikojnë Bashkimin Evropian për qasjen dhe për standardet e dyfishta në raport me Kosovën dhe Serbinë.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë dje se nuk bëhet fjalë për qasje të anshme të BE-së dhe se masat ndaj Qeverisë së Kosovës u morën për shkak “të paaftësisë të autoriteteve kosovare që të sillen në mënyrë evropiane”.

“Sa i përket dialogut dhe çështjeve të lidhura me Kosovën dhe Serbinë, BE-ja është lehtësuese e paanshme, ndihmon dyja palët të arrijnë kompromiset e nevojshme për t’i normalizuar marrëdhëniet. Ajo që kemi bërë së fundi, pas përshkallëzimit të fundit, kemi ndërmarrë masa ndaj Qeverisë së Kosovës, për shkak të paaftësisë së saj që të fillojë të sillet në mënyrë evropiane, e ta shtensionojë situatën e të marrë masat e nevojshme për shtensionim. E në frymën e njëjtë BE-ja dhe shtetet anëtare – pasi çdo gjë që bëjmë bëhet në sinkron e konsultim me shtetet anëtare dhe me partnerët ndërkombëtarë, në këtë kontekst kryesisht me SHBA-në, nëse vendosin atëherë do të marrim masa të nevojshme ndaj Serbisë, nëse shtetet anëtare shohin se në atmosferën aktuale, në kontekstin aktual të krizës, Serbia s’po bën gjë për shtensionim. Qasja jonë është e balancuar. Sigurisht të gjitha masat janë të kthyeshme, e varet në mënyrën se si sillen partnerët sa i përket çështjes së deeskalimit dhe ecjes para për t’u kthyer në proces normal të dialogut”, tha Stano.

Pas pranimit të marrëveshjes për ta shtensionur situatën në komunat veriore, Kosova tërhoqi gjysmën e policëve përreth dhe në objekteve e katër komunave veriore, ku u vendosën kryetarët e rinj shqiptarë, në fund të majit. Gjithashtu, sipas kërkesës së ndërkombëtarëve, Qeveria ka ndërmarrë hapa për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Mitrovicë Veriore, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, thotë se BE-së duhet t’i parashtrohet pyetja BE-së se çka duhet të bëjë Kosova më shumë.

“Kosova po respekton dakordimin me BE-në. Një pyetje me rendësi që duhet të ngritët është se çfarë ka bërë Serbia për deeskalimin e situatës nga çka i është kërkuar fillimisht nga vetë BE. Kjo së bashku me pyetjen se çfarë po kërkon më shumë BE-ja nga Kosova, është më së miri t’i parashtrohet BE-së. Ne kemi thënë që masat ndaj Kosovës kanë qenë të padrejta dhe presim që ato të largohen sa më parë, sidomos pas progresit në zbatimin e marrëveshjes së Bratislavës por edhe pas përmirësimit të situatës në terren” tha Kryeziu për Rtv21.

Edhe deputeti i LV-së, Armend Muja, ka reaguar pas fjalës së Stanos. Ai i ka rënditur dhjetëra sjellje të Serbisë, të cilat thotë se kanë kaluar pa u ndëshkuar nga BE-ja, e cila, zyrtarisht, akoma mban në fuqi masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

“Respektimi i ligjshmërisë, kushtetutshmërisë dhe sovranitetit, nuk qenka sjellje evropiane e si e tillë qenka ndëshkuar nga BE”, shkroi Muja, duke shtuar se reagimi i Zëdhënësit të BE-së konfirmon brengën e politikanëve ndërkombëtarë që nënshrkuan letrën ku i kërkohej BE-së të ndryshonte qasje ndaj Kosovës dhe Serbisë.

Deri tash, nuk është dhënë një afat se kur hiqen masat ndëshkuese të BE-së, për të cilat ishte thënë se janë të përkohshme. Stano ka thënë të enjten se duhen akoma hapa për t’u bërë nga ana e Kosovës për shtensionimin e veriut.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments