Wednesday, November 27, 2024
HomeLajmeVizita në Maqedoninë e Veriut e ftoh Kurtin me Kovaçevskin, kryeministrat e...

Vizita në Maqedoninë e Veriut e ftoh Kurtin me Kovaçevskin, kryeministrat e shmangin njëri-tjetrin

Vizita “private” e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut, duket se ka lënë shije të hidhur në raportin e tij me zyrtarët maqedonas. Kurti pardje ka shkuar në Slloveni, në Forumin e Bledit, sikur edhe kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, por nga atje nuk pati fotografi ku dy liderët ia shtrëngojnë duart njëri-tjetrit e as ndonjë takim bilateral. Ata mbajtën të njëjtin qëndrim edhe para një jave në Athinë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski duket se e injoruan njëri-tjetrin në Forumin Strategjik të Bledit. Ndonëse të dy qëndruan në të njëjtin vend në Bled të Sllovenisë bashkë me liderët e tjerë të rajonit, ata as të dielën, as dje dhe as sot nuk u panë duke i shtrënguar duart, as duke komunikuar dhe as qoftë thjesht duke qëndruar përballë njëri-tjetrit nën shoqërinë e të pranishmëve tjerë.

Kështu u sollën edhe 21 gusht në Athinë, ku kishin shkuar për një darkë joformale me liderët e rajonit, të ftuar nga kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.

Vizita e fundit e Kurtit në Maqedoninë e Veriut më 11 gusht shkaktoi reagimin e Presidentit dhe Qeverisë në Shkup, përveçse dukshëm shpërfaqi ndasitë etnike atje dhe i thelloi në njëfarë mënyre ndasitë edhe mes partive politike shqiptare.

Organizimi i ngjarjeve në Çair dhe Tetovë, dy komunat e banuara me shumicë shqiptare, u bë problem jo i vogël, pasi aty u nuk u këndua himni maqedonas dhe nuk u vendos flamuri shtetëror, por diku në turmë u valvit një flamur “Authoctonous”. Kurti qëndroi në Çair me ftesë të kryetarit Visar Ganiu, dhe në Tetovë me ftesë të dreut të kësaj komune, Bilall Kasami. Mori pjesë në përurimin e një rruge me emrin e veprimtarit Adem Demaçi në Çair, ndërsa në Tetovë mori pjesë në lëshimin në përdorim të një rruge në Malësinë e Tetovës.

Në fotografitë që Kurti dhe Kovaçevski i ndanë në rrjetin social, X, shihen bashkë vetëm në ato ku janë edhe të gjithë liderët e tjerë të rajonit, sikur edhe në Athinë. Ndonëse ishte i ulur krah kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Kosovës nuk duket në një fotografi që ka në kuadër vetëm Kovaçevskin, Ramën dhe kryeministren serbe, Ana Bërnabiq. Në një tjetër, Kovaçevski shihet duke biseduar me presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, ndërsa Kurti shihet i angazhuar në një komunikim me dikë tjetër aty.

Pas vizitës së Kurtit në shtetin fqinj, e cila u konsiderua private dhe u pa në kuadër të bashkëpunimit të Lëvizjes Vetëvendosje me opozitën shqiptare në Maqedoninë e Veriut, kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski kërkoi sqarime nga Ambasada e Kosovës në Shkup.

“Vendosja e flamujve që nuk janë shtetërorë është në kundërshtim me protokollet dhe ligjet për organizimin e manifestimeve në prani të zyrtarëve të vendeve të huaja. Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë po merr masa për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rastit”, u tha në reagimin e kabinetit të kryeministrit maqedonas.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut e konsideroi private vizitën e Kurtit, ashtu si edhe eksponentët e rëndësishëm të BDI-së së Ali Ahmetit në pushtet, të cilët Kurti nuk i takoi.

Nga Presidenca e Maqedonisë së Veriut i thanë Gazetës Express të enjten se Kurti nuk ishte çështje diskutimi e reagimit të shtetit.

“Presidenti ka theksuar se të dy vendet kanë bashkëpunim të shkëlqyeshëm dhe ai vetë e ka takuar z.Kurti disa herë dhe kanë raport pozitiv. Reagimi i presidentit iu drejtua mikpritësve të tij, të cilët tani po ndërtojnë subjekte të reja politike opozitare dhe po përdorin simbolet për të ndërtuar profilin e tyre tek votuesit e mundshëm”, i tha gazetës zëdhënësja e Presidencës maqedonase, Bilijana Radeva.

Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, pati thënë se “organizatorët e tubimeve publike në Tetovë dhe Çair duhet të sanksionohen për shkak të injorimit të simboleve shtetërore, por edhe për shkak të vendosjes së ikonografisë provokuese nacionaliste që promovon ide shoviniste të shteteve të mëdha”. Ai ngriti dyshime edhe për shkeljen e procedurave për emërtimin e rrugës në Çair me emrin e Adem Demaçit.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut më pas ngriti kallëzime penale kundër kryetarëve të Tetovës dhe të Çairit, për “shkelje të ligjit për përdorimin e simboleve shtetërore”, gjatë vizitës së Kurtit.

Bilall Kasami dhe Visar Ganiu u morën në pyetje nga Policia maqedonase, e cila thoshte se “do t’i vazhdojë kërkimet për personin që në një nga manifestimet valëviti flamurin e të ashtuquajturës ‘Shqipëria e Madhe’”. Ata i quajtën “komuniste” dhe me qëllime “frikësimi” veprimet e autoriteteve maqedonase.

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments