Eksperti i sigurisë Agim Musliu ka treguar se ish-zyrtari policor serb i Kosovës, Aleksandar Filipoviq ka vizituar Agjencinë për Siguri dhe Informim (BIA).
Drejtori i Institutit “Octopus” me anë të një postimi në Facebook, thotë se kjo është një dëshmi që kriminelët në veri të Kosovës drejtohet nga BIA serbe. “Kosova, apo institucionet e sigurisë së Kosovës (qoftë Policia, qoftë AKI-ja), paskan qasje brenda BIA-s në Beograd. Kjo sado që është shumë mirë për Kosovën, publikimi i saj nuk duhet të bëhet, sepse rrezikon njeriun që e ka dhënë këtë fakt në Kosovë”, shkruan Musliu.
“Shërbimi sekret serb, i udhëheq kriminelët e veriut të Kosovës, në krye me Milan Radoiçiqin”, shton ai.
Sipas tij, ky është një argument që duhet të përdoret nga institucionet dhe diplomacia e Kosovës. “Ky është një argument që duhet të përdoret nga institucionet e Kosovës, e në radhë të parë nga Qeveria në përgjithësi, e diplomacia në veçanti. Këtë fakt, duhet ta ketë para hundësh [Mirosllav] Lajçaku e [Josep] Borrelli”, thekson Musliu.
Ai kujton se si Instituti “Octopus” kishte paralajmëruar Aleksandar Vuçiqi kishte urdhëruar Radoiçiqin që të fillojë rebelimin e serbëve në komunat veriore të Kosovës. “Ne si Institut ‘Octopus’ kemi paralajmëruar më 4 maj, se, Aleksandar Vuçiqi ka urdhëruar Milan Radoiçiqin që të fillojë rebelimin e serbëve në komunat veriore të Kosovës. Secilën ditë e tutje, kjo po dëshmohet”, pohon ai.
“Për ne si Institut, eskalimi eventual i situatës së sigurisë në veri bëhet me një qëllim të vetëm tani: heqjen e vëmendjes së brendshme nga protestat shumë të mëdha në Serbi, të cilat pasuan pas dy vrasjeve/masakrave masive”, thotë ndër të tjera drejtori i Institutit “Octpous”.
Në fund, Musliu thotë çdo ditë pushteti i Vuçiqit po dobësohet sikurse ai i Vladimir Putinit.
“Kjo këta i bën [Vuçiqi dhe Putini] më të paparashikueshëm në veprimet e tyre. Veçmas në sytë e Perëndimit, të cilët ende, nuk mund ta marrin me mend se çfarë janë në gjendje të bëjnë këta dy diktatorë për ta ruajtur pushtetin”, përfundon ai.
Kujtojmë se sipas të dhënave të siguruara nga REL, në katër komuna të veriut të Kosovës, me shumicë serbe, që nga 11 maji i këtij viti janë vendosur zyrat e MPB-së së Serbisë, të cilat kanë qenë funksionale deri në vitin 2013. Aty thuhet se, Filipoviq ka qenë në një takim të mërkurën, më 10 maj, në ambientet e BIA-s në Beograd.