Wednesday, November 27, 2024
HomeLajmeVizita e emisarëve të Quintit dhe planet e tyre për Prishtinën e...

Vizita e emisarëve të Quintit dhe planet e tyre për Prishtinën e Beogradin

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe katër emisarët e shteteve perëndimore, theksuan në Prishtinë, nevojën që Kosova ta themelojë pa vonesa Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Pesë emisarët e shteteve më të fuqishme perëndimore, përcjellin mesazhin në Prishtinë se ngjarjet e 24 shtatorit në veri të Kosovës e kanë bërë të qartë se si shtensionimi, ashtu edhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, janë tani më urgjente se kurrë. I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i shoqëruar edhe nga i dërguari i SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar dhe këshilltarët e presidentit francez Emannuel Macron, të kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe kryeministres italiane Giorgia Melonizhvilluan një takim të shtunën (21.10.2023) prej më shumë se dy orësh me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Vizita e tyre në Kosovë realizohet në kuadër të përpjekjeve për të ripërtërirë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimin e një marrëveshjeje që çon drejt normalizimit.

 

“Çdo kusht apo vonesë është i papranueshëm dhe ne gjithashtu presim që Kosova dhe Serbia të përmbushin plotësisht detyrimet e tyre nga dialogu. Ngjarjet e 24 shtatorit nuk e ndryshojnë faktin që Kosova dhe Serbia kanë hyrë në marrëveshje në rrugën e normalizimit më herët këtë vit. Kryeministri Albin Kurti ka përgjegjësi të bëjë përparim në normalizimin e marrëdhënieve, nëse Kosova dëshiron të përparojë drejt Bashkimit Evropian”, tha pas takimit Mirosllav Lajçak. Sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Lajçak tha se “e theksuam nevojën për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë pa vonesë.

Pa këtë nuk do të ketë përparim në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian. Vlerësojmë gatishmërinë e kryeministrit Kurti për të vazhduar së shpejti diskutimet tona”, tha Lajçak. Sipas tij, ata e kanë një plan, për të cilin nuk dha detaje, dhe të cilin pas Prishtinës do ta prezantojnë edhe në Beograd në takim me presidentin e Serbisë, Alaksandar Vuçiq.  “Ne gjithmonë e kemi një plan, pra ne e kemi një plan dhe ne e diskutuam planin me kryeministrin Kurti dhe do ta diskutojmë edhe me presidentin Aleksandar Vuçiq sot më vonë. Tani nuk do të jap më shumë hollësi”, tha Lajçak.

“Dialogu është më i rëndësishëm së kurrë, sepse nëse nuk ka dialog mund të përsëritet përshkallëzimi dhe kjo nuk është çka duam ne, as çka doni ju. Prandaj jemi këtu. E dyta, nuk ka alternativë tjetër përpos dialogut, sepse dialogu sjell normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe e hap rrugën evropiane për Kosovën dhe Serbinë”, tha i dërguari evropian Miroslav Lajçak.

Kurti: Prioriteti kryesor dhe çështje urgjente për Kosovën është siguria

Autoritetet në Prishtinë, ndërkaq, thonë se procesi i dialogut duhet të rimendohet pas sulmit të 24 shtatorit. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga ana e tij, përmes një komunikate për medie tha, se “u ka bërë të qartë diplomatëve perëndimorë që ishin sot në Prishtinë se prioriteti kryesor dhe çështja urgjente për Kosovën është siguria e saj, pas sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator”, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.  Në njoftim konfirmohet se “se emisarët kanë ofruar planin e tyre për ecjen përpara në dialog, për të cilin Kurti i ka falënderuar”.

“Në takim u bisedua për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht zbatimin e Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit të tij (Ohër, 18 mars). Kryeministri theksoi që është i nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re. Të pesë emisarët ofruan planin e tyre të ri për ecjen përpara, për çfarë Kryeministri shprehu falënderimet dhe vlerësimet e tij. Diskutimet duhet të vazhdojnë intensivisht”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit Kurti.

Pas vizitës në Prishtinë, pesë diplomatët perëndimorë udhëtojnë drejt Beogradit, ku do të takohen me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Një ditë më parë, ndërsa në një deklaratë të përbashkët, të miratuar në samitin mes SHBA-së dhe BE-së, që u mbajt më 20 tetor në Uashington, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe  Bashkimi Evropian, u bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë, për zbatim të “shpejtë dhe pa kushte” të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve dhe të dyja vendet t’i kthehen dialogut. “Ne rikonfirmojmë përkushtimin tonë të përbashkët për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe mbështesim perspektivën evropiane të rajonit. Të gjithë partnerët duhet t’i vazhdojnë reformat e kërkuara, për të përparuar në rrugëtimin e tyre evropian”, thuhet në deklaratë në të cilën më tej theksohet qartë:

“Nënvizojmë nevojën që Kosova dhe Serbia, urgjentisht t’i ulin tensionet dhe shpejt, e pa kushte ta zbatojnë marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes tyre dhe të kthehen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments