Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeKosovaVitia flet për prezencës e policëve nëpër spitale

Vitia flet për prezencës e policëve nëpër spitale

Nga sot nëpër spitalet e Kosovës do të ketë pjesëtarë të Policisë së Kosovës, në mënyrë që të mos lejohet hyrja e më shumë se një shoqëruesi për pacient. Kështu ka paralajmëruar ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia duke thënë se deri tek kjo ka ardhur në mënyrë që institucionet shëndetësore të mos jenë bartëse të virusit.

 

Këto komente Vitia i bëri në një prononcim për media gjatë vizitës që bëri bashkë me Presidenten Vjosa Osmani në Qendrën e Vaksinimit në Prishtinë.

Ai tha se në këtë përfundim kanë ardhur pas diskutimeve me bordin dhe drejtorin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

“Ne bashkë me bordin dhe drejtorin e ShSKUK-së kemi pasur disa takime ku kemi biseduar që përcjellja e familjarëve nëpër spitalet tona nuk duhet të jetë më shumë se një. Për momentin, duke respektuar të gjitha masat dhe duke pasur parasysh se këto masa nuk janë respektuar aq sa duhet ne kemi marrë masa që të mos jetë edhe institucioni shëndetësor shpërndarës i virusit”, u shpreh ai.

Masat e marra nga qeveria kundër pandemisë kërkojnë numër të madh të inspektorëve, e që deri më tash ka pasur mungesë të tyre.

Por, ministri Vitia thotë se që nga marrja e detyrës janë angazhuar që të rrisin numrin e këtyre të fundit, në mënyrë që procesi i inspektimit të shkojë sa më mirë.

Sipas tij, sado që ky numër të rritet, pa ndërgjegjësimin e qytetarëve nuk do të mund të kontrollohet përhapja e pandemisë.

“Gjatë këtyre dy javëve që jemi në qeveri, një nga punët e para që kemi bërë është shtimi i numrit të inspektorëve. Është duke u punuar dhe shumë shpejt do të kemi inspektorë shtesë, edhe nga niveli qendror edhe nga ai lokal. Mirëpo, pavarësisht punës që bëjnë inspektorët, është shumë me rëndësi të kuptojmë që është përgjegjësi e secilit prej neve, edhe e bizneseve edhe e jona si qytetarë sepse nuk ka numër të inspektorëve që do të mund të inspektojnë të gjitha aktivitetet tona, nëse ne si qytetarë nuk jemi të përgjegjshëm për seriozitetin e situatës”, tha ai.

Qeveria e Kosovës ka marrë masa për ngadalësimin e përhapjes së pandemisë, të cilat hyjnë në fuqi të mërkurën dhe vlejnë deri më 18 prill.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments