Tuesday, November 26, 2024
HomeLajmeKosovaViti 2024 nis me “riorganizim të brendshëm” masiv në Administratën Tatimore të...

Viti 2024 nis me “riorganizim të brendshëm” masiv në Administratën Tatimore të Kosovës

Me të filluar vitin 2024, është “hallakatur” njëri nga dikasteret që mbush arkën e shtetit. Shumicës së inspektorëve tatimorë në ATK iu është ndërruar zyra, ekipi dhe udhëheqësi i tyre.

Në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) kanë shpjeguar se kjo ka ndodhur pasi ka nisur të zbatohet Rregullorja e nxjerrë nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës nr. 02/2022 për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në ATK.

Shumë prej inspektorëve, siç mëson Ekonomia Online, kanë shprehur pakënaqësi me këto “riorganizime”. “Nuk është e drejtë kjo. Disa prej inspektorëve kërkojmë ndryshim pozite e nuk merret parasysh kërkesa, pavarësisht përvojës e performancës”, thotë një nga inspektorët, i cili deshi të mbetet anonim, për shkak të frikës nga pasojat nëse i shpreh publikisht pakënaqësitë.

Këto ndryshime, sipas disa burimeve brenda ATK-së, vlerësohet se kanë ndodhur për të pamundësuar krijimin e lidhjeve ndërmjet inspektorëve me bizneset apo kryesuesit e ekipeve udhëheqësve.

Udhëheqësja e Divizionit për Komunikim me Media në ATK, Valentina Bytyqi-Sefa, ka thënë për Ekonomia Online se aprovimi i strukturës së re organizative dhe ndryshimet që kanë ndodhur kanë për qëllim që Administrata Tatimore të përmbushë sa më mirë projeksionet e Qeverisë për mbledhjen e të hyrave tatimore.

Ajo mohon se ndryshimet lidhen drejtpërdrejt me luftimin e korrupsionit ose konflikteve eventuale të interesit. “Nëse ka konflikte interesi, secili zyrtar është i obliguar sipas ligjit që në çdo rast ta deklarojë një gjë të tillë. Nëse kjo nuk ndodh dhe konstatohet nga organet përkatëse se në situata të caktuara ka konflikt interesi, atëherë Administrata Tatimore e Kosovës do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për adresimin dhe trajtimin e këtyre situatave”.

“Ndihmë në këtë drejtim mund të japë secili që ka informacione të tilla dhe organet përkatëse brenda ATK-së do t’i trajtojnë me shumë kujdes informatat e tilla duke e ruajtur në tërësi burimin e informatës dhe do të veprojnë në përputhje me autorizimet ligjore”, thekson Bytyqi-Sefa.

Rregullorja (ZKM) Nr. 02/2022 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Administratën Tatimore të Kosovës është miratuar nga kryeministri I Kosovës, Albin Kurti, me Vendimin Nr. 386/2022, të datës 23.09.2022.

Bytyqi-Sefa shpjegon se ndryshimet nuk kanë ndodhur me vendim të Menaxhmentit të lartë, por është zhvilluar procesi i ristrukturimit të stafit të ATK-së nga komisioni i cili është udhëhequr nga DMPZ/MPB, në fund të cilit proces të gjithë zyrtarët janë pajisur me akte emërimi si dhe me përshkrimet e detyrave të punës.

“Aprovimi i strukturës së re organizative dhe ndryshimet që kanë ndodhur kanë pasur për qëllim që Administrata Tatimore të jetë në gjendje që sa më mirë ta përmbushë misionin e vet dhe të jetë e aftë për përmbushjen e projeksioneve të Qeverisë për mbledhjen e të hyrave tatimore ashtu siç është ngarkuar me Ligjin e Buxhetit”, shprehet zëdhënësja e ATK-së.

Gjithashtu, ajo ka treguar se në të ardhmen që pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Administrimin e Procedurave Tatimore, të rishikohet struktura aktuale organizative dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi të fillohet me përgatitjen e strukturës së re organizative e cila do të jetë e aftë për ta kryer misionin që ka institucioni i ATK-së.

Aktualisht, ATK-ja ka të hapur një konkurs punësimi. Bytyqi-Sefa tha se stafi po shtohet, pasi që dëshirojnë që t’i rrisin kapacitetet e veta njerëzore për të përmbushur “planin voluminoz për mbledhjen e të hyrave” dhe se nuk ka largim të punëtorëve nga Administrata Tatimore.

“Publikimi i konkursit lidhet me faktin se ATK-ja duke marrë parasysh planin e ri mjaft voluminoz për vitin 2024 në mbledhjen e të hyrave, dëshiron që t’i rris kapacitetet e veta njerëzore të cilat kanë qenë të planifikuara me planin e zhvillimit të personelit që nga janari i vitit të kaluar, por që për shkak të pamundësisë së organizimit të konkurseve nga ana e MPB, pozitat e lejuara me buxhet për vitin 2023 kanë mbetur deri më tani të paplotësuara”, ka thënë Bytyqi-Sefa.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments