Gati një vit pas promovimit të albumit “Departures” në Prishtinë, Visar Kuçi Trio filloi një turne evropian, me stacionet e para në Köln dhe Vjenë.
Falë bashkëpunimit me shoqatat më aktive kulturore në diasporë, URACult në Köln dhe grupi KÂ në Vjenë, Trios nga Prishtina iu mundësua paraqitje në dy lokacione të rëndësishme të muzikës. Altes Pfandhaus në Köln është një nga adresat më të njohura të Jazz-it në Gjermani derisa “Das Vindobona” në Vjenë njihet si teatër multifunkcional ku mbahen aktivitete të njohura kulturore nga më të ndryshmet. Të dyja projektet janë mbështetur edhe nga MKRS-e Republikës së Kosovës.
Si në Köln e poashtu edhe në Vjenë, koncertet u përcollën nga një publik i përzier ndërkombëtar, i cili paraqitjen mbresëlënëse të muzicientëve kosovarë e shpërbleu me duartrokitje të gjata.
Enver Muhamedi në kontranbas, Enes Bajramliqi, i cili është edhe montazher në televizionin Klan Kosova, në tupana dhe Visar Kuçi në kitarë ishin thjeshtë fenomenal. Harmonia e tyre në skenë ishte mbresëlënëse. Pos organizatorëve dhe publikut, të kënaqur ishin edhe artistët të cilët patën mundësinë të performojnë ne skena kaq të rëndësishme ndërkombëtare dhe para një publiku me numër kaq të madh.
Në Vjenë, Trios iu bashkuan edhe artistët Flaka Goranci dhe Klejdi Burbullushi që poashtu u mirëpritën nga të pranishmit, ndër të cilët kishte edhe anëtarë të përfaqësive diplomatike të Shqipërisë dhe Kosovës në Austri, nga organet austriake si dhe nga Qeveria e Kosovës.
Koncertet në vendet tjera janë shtyrë për vitin e ardhshëm.