Kuvendi i Kosovës do t’i vazhdojë punimet sot në orën 10:00 me 32 pikat e mbetura nga seanca e së enjtes.
Kujtojmë se seanca plenare e të enjtes nisi me zëvendësimin e dy deputetëve nga radhët e PDK-së, me deputetët e rinj Rashit Qalaj dhe Isak Shabani, të cilët bënë betimin. Më pas, propozimit të PDK-së, me 80 vota për, deputeti Enver Hoxhaj u zgjodh nënkryetar i Kuvendit.
Pastaj, kryetarët e grupeve parlamentare shpalosën qëndrimet e tyre rreth mbarëvajtjes së zgjedhjeve të fundit lokale në Kosovë, me ç’rast falënderuan qytetarët e Republikës së Kosovës për maturinë dhe kulturën e treguar gjatë tërë procesit zgjedhor.
Tutje, seanca vazhdoi punimet me deklarimet jashtë rendit të ditës dhe me pyetjet e deputetëve, për anëtarët e kabinetit qeveritar, të cilët iu përgjigjën disa prej çështjeve të ngritura.
Seanca vijoi punimet me debatin të thirrur nga Grupi Parlamentar i AAK-së, lidhur me veprimet e Qeverisë për alternativat e diversifikimit të energjisë dhe veçanërisht Projektin e Gazit me MÇ-në.
Deputeti Ramush Haradinaj, si përfaqësues i AAK dhe iniciues i këtij debati, paraqiti rëndësinë e projektit, duke vlerësuar se ai mundëson përmirësimin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës, marrjen e përfitimeve ekonomike, krijimin e rezervave të energjisë, si dhe fuqizon përfshirjen e grave në sektorin e energjisë, duke reduktuar pabarazinë gjinore në këtë sektor.
Nga radhët e GP të LVV-së, fjalën e mori deputeti Haki Abazi, i cili kërkoi që projekti i Gazit me MÇ-në të mos shihet si projekt problematik dhe ashpërsues i marrëdhënieve me Amerikën. Andaj, sipas tij, diskutimi për këtë temë nuk duhet të shtrihet asnjëherë në këtë nivel. Përkundrazi, ai tha se një projekt i tillë fuqizon raportin e Kosovës me SHBA-të dhe përmirëson gjendjen e sektorit energjetik, e ky, siç tha ai, është edhe interes i Qeverisë së Kosovës.
Nga radhët e GP të PDK-së, fjalën e mori deputeti Ferat Shala, i cili e cilësoi të rëndësishëm projektin e MÇ-së, por që kërkoi informacione më të detajuara nga Qeveria. Ai parashtroi disa pyetje lidhur me përfitimet që Kosova do të ketë nga ky projekt dhe pasojat e tij, nëse nuk do të pranohet si i tillë.
Ndërsa nga GP i LDK-së, deputeti Driton Selmanaj tha se nuk duhet parë përfitimi i projektit vetëm nga aspekti ekonomik, por edhe në kontekst të sigurisë dhe të fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Ideja madhore e këtij projekti, sipas tij, është shtrirja në rrjetin e gazit dhe inkuadrimi i Kosovës në këtë rrjet.
Nga radhët e AAK-së, Besnik Tahiri tregoi se ky projekt ka tri elemente kyçe, si: sigurinë energjetike të vendit, sigurinë nacionale kombëtare dhe pozitën gjeostrategjike e gjeopolitike, si dhe partneritetin me SHBA.
Nga ana e Qeverisë, kryeministri Albin Kurti paraqiti qëndrimet e tij, duke potencuar përparësitë që Kosova do të ketë po që se e aprovon atë pas rishqyrtimit të tij nga Qeveria. I pari i qeverisë ndër të tjera tha se Qeveria e Kosovës nuk i ka vënë kushte MÇ-së dhe as MÇ-ja nuk i ka vënë kushte Qeverisë së Kosovës.
“Ky është një raport partneriteti pa kushtëzime Thjesht Qeveria e Kosovës po bën me kujdes vlerësimin e projektit dhe ndikimin në çmimet e energjisë”, theksoi kryeministri Kurti.
Në anën tjetër ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, bëri të ditur se së bashku me kryeministrin Kurti sot kanë filluar punën për hartimin e Strategjisë Kombëtare të Energjisë 2022-2031, e cila njëherësh, sipas saj, është strategjia e parë e bazuar në të dhëna e studime.
Siç njoftoi ministrja, punimet në këtë strategji mendohet të përfundojnë në mars të vitit 2022 dhe pastaj do të sillet në Kuvend për miratim. Rizvanolli po ashtu potencoi se marrëdhëniet me SHBA-të dhe me MÇ-në janë të shkëlqyera dhe se asnjëherë nuk janë rrezikuar dhe nuk do të rrezikohen.
Debati parlamentar vazhdoi me një sërë diskutimesh nga deputetë të tjerë të Kuvendit, të cilët paraqitën pikëpamjet e tyre dhe të grupeve që përfaqësojnë, lidhur me çështjen në diskutim.
Anëtarë të Qeverisë, nga ana e tyre, dhanë sqarime në çështje të ngritura nga ana e deputetëve. Në fund të debatit, në cilësi të iniciuesit, deputeti Haradinaj paraqiti rezolutën e propozuar. Pas hedhjes në votim, me 21 vota për dhe 46 kundër Kuvendi nuk e miratoi rezolutën e propozuar.