Monday, November 25, 2024
HomeLajmeKosovaVigan Qorrolli,ia mësyn prapë të bëhet gjykatës i Kushtetueses

Vigan Qorrolli,ia mësyn prapë të bëhet gjykatës i Kushtetueses

Vigan Qorrolli,do të tentojë për herë të tretë që të zgjidhet gjykatës në Kushtetuese, pasi që paraprakisht votimi për të njëjtin dështoi dy herë në Kuvend të Kosovës.

Flutura Kusari, juriste e së drejtës së medias ka zbuluar se Qorrolli është në mesin e kandidatëve që po tentojnë të bëhen Gjykatës në Kushtetuese.

“Kandidatë për gjykatës në Gjykatë Kushtetuese qenkan: Valbona Shala-Thaqi, Bardh Bokshi, Shukri  Sylejmani, Mentor Bogaj, Vigan Qorrolli, Bashkim Hyseni, Hilmi Jashari, Etrur Maloku, Ibrahim Mala, Haxhi Xhemajli”, ka shkruar Kusari.

Vigan Qorrolli një muaj më parë mori vetëm 49 vota të deputetëve, të pamjaftueshme këto për t’u bërë gjykatës i Kushtetueses.

Në raundin e tretë të votimit, 49 deputetë votuan për Vigan Qorrollin ndërsa 38 për kundërkandidatin e tij Haxhi Xhemajlin. Gjithsej votuan 94 deputetë, ku shtatë fletëvotime ishin të pavlefshme.

Qorrolli, edhe më parë kishte tentuar për t’u bërë gjykatës në Kushtetuese, por kishte dështuar.

Në tentimin e para tri viteve, ai kishte marrë më së paku vota (6) në Kuvendin e Kosovës, duke dështuar të bëhet gjykatës në Kushtetuese. Pas dështimit, ai akuzonte se disa kandidatë favorizoheshin politikisht.

“Politika ka favorizuar disa kandidatë, përballë disa të tjerëve, duke mos i lënë deputetët e lirë të votojnë me ndërgjegjen e tyre dhe t’i votojnë njerëzit më të mirë në bazë të CV-së së tyre, ka bërë që Gjykata Kushtetuese të lëndohet më shumë se që është lënduar”, shprehej ai në RTV Dukagjini në gusht të vitit 2018.

Ai thoshte se deputetët ishin të detyruar të votonin pro përkrahësve të partive në qeveri, ndërsa këtë herë mund t’i duhet të shpresojë për të njëjtën.

“Kam tentuar që të jem një kandidat bipartizan, që t’i bindi të gjitha partitë politike që jam kandidati më i pavarur nga të gjithë të tjerët. Nuk ia kam dalë, sepse deputetët nuk janë lejuar të votojnë lirshëm dhe partitë e pushtetit kanë bërë pazare që t’i votojnë kandidatët e tyre të preferuar”, deklaronte Qorrolli.

Mbështetja e Qorrollit për LVV-në

Qëndrimet e Qorrollit prej juristi së fundmi kanë qenë gjithnjë në kundërshtim me vendimet e kësaj gjykate. Por me forcimin e Lëvizjes Vetëvendosje në skenën politike, Vigan Qorrolli përmes postimeve të tij në Facebook dhe paraqitjeve në media shprehej pothuajse gjithnjë në sinkroni me partinë e Albin Kurtit, kryeministrit aktual.

Kur Qeveria e parë e Albin Kurtit ishte rrëzuar dhe LVV kërkonte që të shpalleshin zgjedhjet e reja, Qorrolli shprehej po njësoj, se pushteti i takon vetëm partisë që del e para në rezultatin zgjedhor.

“E vetmja zgjidhje shihen zgjedhjet. Meqë aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese (2014) thotë shprehimisht se presidenti nuk ka diskrecion në refuzimin e kandidatit për kryeministër – po ky aktgjykim në petitumin e tij (pika dh.) thotë se, ‘në rast se kandidati për kryeministër nuk merr votat e nevojshme…’, dhe nuk flet nëse një kryeministër rrëzohet me mocion mosbesimi por, flet vetëm në rast se kandidati për kryeministër nuk e merr besimin e shumicës së nevojshme parlamentare (61 vota)”, shkruante Qorrolli.

Ai shprehej se “vetëm në pikën (e) të petitumit, ky aktgjykim flet për dhënien e serishme të së drejtës për partinë e njëjtë por, me mandatar (kandidat për kryeministër) tjetër”.

“Kjo do të thotë se pa Lëvizjen Vetëvendosje NUK mund të bëhet qeveria e re”, theksonte Qorrolli.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte krejtësisht ndryshe. Kushtetuesja i dha të drejtë partisë së dytë që ta formojë qeverinë e re.

Megjithatë, gjatë kësaj kohe, Qorrolli citohej e thirrej edhe si analist politik. Ai fliste për pazare, ndërsa thoshte se atëherë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e kishte shkelur Kushtetutën duke ia dhënë një partie tjetër (LDK-së) të drejtën për të caktuar mandatarin për kryeministër.

“Ka një shantazh të demokracisë së Kosovës. Kushtetuta e përcakton se në rast të dështimit të zgjedhjes së kryeministrit për herë të parë apo arsye të tjera, posti i tij mund të jetë vakant, nuk e përcakton qartë në rast të mocionit apo ndonjë rasti tjetër. Është hera e parë që ndodh kjo situatë që një qeveri të bëhet për herë të dytë sipas nenit 95 dhe kësisoj kemi në mungesë të një norme të qartë kushtetuese e cila përcakton një afat të qartë se kur fituesi i zgjedhje i përgjigjet Presidentit. Në një situatë të tillë, presidenti nuk është palë e ndonjë strukture politike. Ai ka përdorur një diskrecion që nuk e ka”, deklaronte Qorrolli.

Edhe më qartë ai shprehej kur thoshte se Thaçi po ngutej që Kurtin ta largonte sa më shpejt nga pushteti.

Por paanshmëria është fjalë shumë e rëndësishme në betimin që gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese duhet ta japin kur e marrin detyrën.

Sipas ligjit, Komisioni posaçëm për shqyrtimin e kandidatëve për emërim në Gjykatën Kushtetuese, bashkangjitur me listën e ngushtë të të përzgjedhurve, tani duhet t’ia dërgojë Kuvendit listën e të gjithë kandidatëve të cilët i plotësuan kushtet për t’u zgjedhur gjykatës. Në fund, në organin më të lartë ligjvënës, me shumicë votash vendoset se cili nga ta do të përzgjidhet për ta marrë këtë detyrë.

Vigan Qorrolli që provoi të bëhet gjykatës ishte përjashtuar nga provimi, u kap me telefon

Vigan Qorolli vite më parë kishte qenë në mesin e dy personave, prej 220 juristëve që po hynin në provimin e jurispodencës, e që ishin kapur duke kopjuar me telefon, për t’u përjashtuar pastaj nga provimi.

Në një kronikë që kishte bërë pikërisht për këtë rast, Klan Kosova, thuhet se Vigan Qorrolli që në atë kohë po punonte si asistent i Katedrës Ndërkombëtare në Fakultetin Juridik, ishte larguar nga provimi nën dyshimet se kishte përdorur poashtu telefonin gjatë provimit.

Madje, Qorrolli nuk e kishte mohuar se kishte përdorur telefonin, por ishte arsyetuar duke thënë se i duhej gjatë provimit për të folur me familjarët, e jo për të kopjuar.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments