Stacioni i policisë në Kaçanik rreth orës 02:00 nga Shtëpia e Shëndetit në Kaçanik ka pranuar një informatë, se një person kishte kërkuar ndihmë mjekësore nga lëndimet që kishte pësuar nga arma e zjarrit, i cili më pas ishte transportuar në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ndërsa për tretman të mëtutjeshëm mjekësor ishte dërguar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë dhe sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetën.

Njësia e Hetimeve të stacionit në Kaçanik ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nën autorizim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj i ka nisur hetimet.

Nga hetimet e para dyshohet se personi A.B (M/K), 21-vjeçar në shtëpinë e tij në rrugën ‘’Mejdi Dalloshi’’ në Kaçanik me armën e zjarrit (pistoletë) ishte vetëplagosur.

Arma e zjarrit dhe 3 fishekë janë konfiskuar, ndërsa si provë materiale është gjetur edhe një gëzhojë.

Rasti është cilësuar si “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm dhe mbajtje në pronësi të paautorizuar të armës”.