Që nga fillimi i muajit të Ramazanit, vetëm pelegrinët e imunizuar kundër Covid-19 do të lejohen që ta kryejnë pelegrinazhin e umres, kanë njoftuar autoritetet saudite.
Ndryshe nga haxhillëku, pelegrinazhi i umres nuk është i detyrueshëm për besimtarët myslimanë dhe mund të kryhet në çfarëdo kohe të vitit, shkruan The Guardian.
Ministria e Haxhit dhe Umres njoftoi se tri kategori të njerëzve do të cilësohen si grupe të imunizuara: ata që i kanë marrë dy dozat e vaksinës kundër koronavirusit, ata që e kanë marrë dozën e parë së paku 14 ditë para arritjes në Mekë dhe njerëzit që janë shëruar nga koronavirusi.
Vetëm këtyre personave do t’u jepet leje që ta kryejnë umren si dhe të kryejnë ceremoni të faljes në Xhaminë e Madhe në qytetin e shenjtë të myslimanëve.
Autoritetet gjithashtu njoftuan se të njëjtat kushte do të vlejnë edhe për hyrje në xhaminë e Profetit Muhamed në qytetin e Medinës.
Ministria tha se këto rregulla do të hyjnë në fuqi nga fillimi i Ramazanit, por nuk është e qartë se sa do të zgjasin. Nuk është e qartë as nëse këto masa do të vlejnë për haxhillëk më vonë gjatë këtij viti.
Masat e reja u morën në kohën kur Arabia Saudite po përballet me shtimin e rasteve të infeksioneve. Deri më tani, në këtë shtet janë regjistruar mbi 393 mijë raste me Covid-19 dhe rreth 6.700 të vdekur nga kjo sëmundje.