Sipas monitoruesve Albana Murseli dhe Adriana Morina, edhe në këtë proces pati parregullsi.
Ato kanë evidentuar mosprezencë fizike të aplikuesit gjatë dorëzimit të aplikacionit, si dhe vendimi për zgjatjen e afatit për tri ditë shtesë për plotësim të dokumenteve për aplikuesit.
Sipas tyre, të dy këto shkelje janë mjaft qartë të ndaluara, në bazë të Udhëzimit Administrativ Nr.07/2017 për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik.
Neni 5 paragrafi 1 dhe nën paragrafët 8 dhe 9, percaktojnë të dy këto rregulla të cilat janë shkelur.
“Në anën tjetër, Udhëzimi Administrativ Nr. 07/2017 për Rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik në nenin 5 paragrafi 1 nën paragrafët 8 dhe 9 përcaktohet se;
Konkursi publik i brendshëm përmban:
1.8 “mënyrën se si merret dhe si dorëzohet formulari i aplikacionit; dhe
1.9 “aplikacionet e dorëzuara pas afatit të paraparë nuk pranohen, ndërsa aplikacionet e mangëta refuzohen”.
Nga të gjitha përcaktimet më lart, është e qartë që emërimi i Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së duhet të bëhet duke u bazuar në Ligj dhe sipas procedurave që konkursi publik që parasheh, përfshirë këtu edhe mënyrën si merret dhe si dorëzohet formulari i aplikacionit, çfarë ndodhë me aplikacionet e dorëzuara pas afatit si dhe me aplikacionet e mangëta” thuhet në raportin e monitoruesve.
Ndërkohë, parregullsi është vërejtur edhe në procesin e vlerësimit në testin me shkrim.
Sipas Adriana Morinës, tre nga anëtarët e Bordit, në vlerësimin e kandidatëve, kanë qëndruar me afër njëri-tjetrit dhe më larg anëtarëve të tjerë të Bordit.
Si rezultat i kësaj distance, Morina ka vërejtur se të tre i kishin dhënë pikë identike për secilën përgjigje njërit nga kandidatëve për pozitën e Drejtorit.