Rreziku i prishjes së partneritetit mes Kosovës dhe SHBA-së shqetësoi një pjesë të opinionit publik, që marrëdhëniet mes dy vendeve i konsideron si “ekzistenciale”.
“Kush nuk e kupton këtë, nuk e meriton të jetë në krye të institucioneve”, tha Avdullah Hoti, deputet i opozitës në Kuvendin e Kosovës.
Zyrtarë të Qeverisë, megjithatë, bënë përpjekje t’i ulin shqetësimet, duke këmbëngulur se ata “konsultohen dhe koordinohen me aleatët”. Kryeministri Albin Kurti tha se Kosova “nuk ka partner, aleat dhe mik të rëndësishëm sikurse SHBA-ja”.
Reagimet u bënë një ditë pasi ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, tha se SHBA-ja “është shumë e shqetësuar me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar përdorimin e dinarit serb” në Kosovë.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai tha se Kosova duhet të tërhiqet nga ky vendim që “e ka vënë në pikëpyetje partneritetin me SHBA-në”.
Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj nëse po e konsideron zmbrapsjen, ashtu siç e kërkoi O’Brien.
Por, kryeministri Albin Kurti, duke folur të mërkurën në një ngjarje në Prizren, tha se Banka Qendrore e Kosovës e ka prezantuar tashmë planin e saj për zbatimin e rregullores.
Rregullorja e BQK-së për valutën
Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), e cila u publikua më 17 janar dhe hyri në fuqi më 1 shkurt, e bën euron valutë të vetme për pagesa në Kosovë.
Ajo nxiti reagime nga komuniteti serb që pranon pagesa në dinarë nga Serbia që nga paslufta më 1999.
Një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare kërkoi nga Qeveria e Kosovës që ta tërheqë këtë vendim, ndërsa një pjesë tjetër kërkoi që ta shtyjë, derisa qytetarët të informohen më mirë.
BQK-ja tha se faza e tranzicionit të zbatimit të rregullores së saj, nuk mund të zgjasë më shumë se tre muaj.
Si hynë dinarët në Kosovë?
Neni 11 i Kushtetutës së Kosovës përcakton “një monedhë të vetme” si mjet të vlefshëm pagese në Kosovë.
Por, për vite me radhë, dinarët arritën në Kosovë përmes Bankës Popullore të Serbisë, e cila ka një kasafortë në komunën e Leposaviqit, në veri të Kosovës. Ato para, pastaj, i transportonte kompania për transport të parave “Henderson”.
Disa ia vunë fajin Doganës së Kosovës që e ka lejuar një praktikë të tillë, pasi që BQK-ja është institucioni i vetëm i autorizuar për import dhe eksport të euros dhe valutave të tjera në Kosovë.
Kreu i BQK-së, Ahmet Ismaili, e përmendi integritetin financiar si arsyen kryesore për zbatimin e rregullores.