Ministri rus i Emergjencave, Yevgeny Zinichev, vdiq gjatë ushtrimeve trajnuese në Arktik të mërkurën, citohet të ketë thënë kjo ministri.
Ministri 55-vjeçar, i cili ishte në krye të Ministrisë së Emergjencave nga viti 2018, vdiq përderisa po mundohej t’ia shpëtonte jetën një personi, raportoi agjencia e lajmeve, RIA, pa dhënë hollësi të tjera.
“Zinichev vdiq tragjikisht përderisa po i kryente detyrat e veta zyrtare gjatë ushtrimeve për parandalimin e situatave të krizave në Arktik, duke ia shpëtuar jetën dikujt”, citohet të ketë thënë Ministria e Emergjencave.
Margarita Simonyan, kryeredaktore e televizionit rus, RT, tha se Zinichev ishte duke qëndruar në një qoshe bashkë me një kameraman, i cili rrëshqiti dhe ra në ujë.
“Askush nuk pati kohë as të mendonte për atë që ndodhi, kur Zinichev u hodh në ujë për personin e rënë dhe u përplas në një gur”, shkroi Simonyan në rrjete sociale.
Në këtë rast raportohet se mbeti i vdekur edhe kameramani që ra në ujë.