Ndërkohë, ambasada thekson se për të përcaktuar vdekjen e turistëve mund të kryhet një ekspertizë mjeko-ligjore shtesë edhe në Rusi.
“Në mëngjesin e hershëm të 22 tetorit trupat e pajetë të shtetasve rusë, të cilët humbën jetën në 15 tetor në territorin e Republikës së Shqipërisë, u nisën në Rusi me një fluturim të rregullt. Sipas legjislacionit rus, mund të kryhet një ekspertizë mjeko-ligjore shtesë për të zbuluar shkaqet e vdekjes së tyre. Shpresojmë në marrjen sa më të shpejtë të përfundimeve zyrtare nga pala shqiptare, si edhe në bashkëpunimin e mëtejshëm të ngushtë të organeve ligjzbatuese ruse dhe shqiptare për sqarimin e rrethanave të tragjedisë”, mbyllet reagimi i ambasadës Ruse në Tiranë.
Ndërkohë, A2 CNN ka siguruar ekskluzivisht dëshmitë e dy prej punonjësve të hotelit në Qerret të Kavajës ku humbën jetën tragjikisht 4 rusë të së njëjtës familje.
Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur një javë më parë grupi hetimor mori në pyetje dhe punonjësin e pishinës personin me iniciale N.H. i cili tha për hetuesit se si çdo ditë ai bënte pastrimin e pishinës në të cilën ka hedhur vetëm një gotë me klor.
Ngjarja ngre pikëpyetje të shumta në një kohë që nga dosja hetimore, por edhe dëshmitë e punonjësve hedhin poshtë disa prej pistave te mundshme. Grupit të hetimit një ditë më parë iu kthyen mbrapsht dhe mostrat e ujit pasi rezultojnë të marra jo sipas kushteve të duhura për t’u analizuar.