Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeVdekja e foshnjës në Prizren, nga zhdukja e placentës deri tek obduksioni,...

Vdekja e foshnjës në Prizren, nga zhdukja e placentës deri tek obduksioni, për çfarë po akuzohen tre mjekë

Tre mjekë të Spitalit te Prizrenit janë arrestuar të shtunën, nën dyshimin për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor. Kjo pasi një foshnje vdiq pas lindjes, e prindi i saj i akuzoi ata për mos trajtim të duhur

Ndaj tyre tashmë ka marrë vendim edhe Gjykata Themelore në Prizren.

Ndaj F.S. dhe G.S., është caktuar masa e arrestit shtëpiak, ndërsa ndaj S.R., është dhënë masa e lajmërimit në stacionin policor.

Por si dyshohet se ka ndodhur rasti i vdekjes së foshnjës për të cilin u arrestuan mjekët?

Gjithçka nisi kur prindi i foshnjës së vdekur i lajmëroi në polici tre mjekët për trajtim të  pandërgjegjshëm mjekësor.

Si mjekë kujdestarë ata dyshohet se fshehën placentën e foshnjës së vdekur, me qëllim të fshehjes së provave për shkaqet e vdekjes së foshnjës.

Sipas prokurorisë, ata nuk e kanë regjistruar fare këtë placentë dhe e kanë përzier me të tjerat në vendin ku i ruajnë.

Kësisoj, ata dyshohet se e fshehën atë dhe nuk e dërguan në IML për obduksion.

Të tre po ashtu akuzohen se nuk kanë intervenuar me kohë në asistim për lindje, por kanë pritur deri në keqësimin e gjendjes së nënës dhe foshnjës.

“Me datë 27 qershor, rreth orës 03:40 në Spitalin Rajonal të Prizrenit të pandehurit në cilësinë e mjekëve kujdestarë veprojnë haptazi në mënyrë të pakujdesshme si ekip i mjekëve me rastin e lindjes së fëmijës, derisa i është renduar dhe përkeqësuar gjendja e të dëmtuarës (pacientes), dhe e fëmijës, me ç’ rast pasi kuptojnë për gjendjen e të dëmtuarës dhe fëmijës ekipi i mjekëve – të pandehurit intervenojnë me vonesë mirëpo fëmija I porsalindur nuk arrin të mbijetoj – vdesë. Gjithashtu, më datë 27 qershor, rreth orës 03:40 në Prizren, në Spitalin Rajonal të Prizrenit të pandehurit në cilësinë e mjekëve kujdestarë fshehin, ose e bëjnë të pashfrytëzueshëm, tërësisht sendin – provën kryesore me qëllim të pamundësimit të shfrytëzimit të sendit në procedurë zyrtare, në atë mënyrë që pas lindjes, të pandehurit placentën e fetusit të fëmijës të posa lindur i cili ndërron jetë pas lindjes, me qëllim që të fshehin çështjen e të provuarit lidhur me shkakun e vdekjes së foshnjës këtë placentë nuk e regjistrojnë dhe identifikojnë dhe e vendosin së bashku duke e përzier me placentat tjera në vendin ku i ruajnë, nuk e dërgojnë në IML së bashku me trupin e pajetë të foshnjës i cili është dërguar në autopsi me urdhër të prokurorit, e cila provë është vendimtare për përcaktimin e shkakut të vdekjes”, thuhet në komunikatë e gjykatës.

ShSKUK: Po presim raportin mjeko-ligjorë

Ndaj arrestimit të tre mjekësve të Spitalit të Prizrenit ka reaguar dje edhe Shërbimi Spitalor, Klinik, Universitar i Kosovës.

Në reagimin e tyre thuhet se janë duke  e trajtuar rastin me prioritet dhe se janë duke pritur raportin mjeko-ligjor.

“Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), po trajton me prioritet të lartë rastin që ka ndodhur në Spitalin e Prizrenit, nëse ka pasur shkelje të procedurave standarde gjatë punës së stafit mjekësor. Në të njëjtën kohë jemi duke pritur raportin e ekspertëve mjeko-ligjorë, për të konstatuar e konkluduar mbi shkaqet dhe rastin”, thuhet në reagimin e tyre.

Më tutje, ata thonë se pa dal raporti nuk mund të konkludohet se mjekët kanë kryer veprime që kanë shkaktuar rrezik jete.

“Andaj, aktualisht nuk mund të konkludohet nëse mjekët që kanë trajtuar rastin, ndonëse janë arrestuar, kanë kryer veprim që ka shkaktuar rrezik jete. Raportet profesionale, për çdo rast me fatalitet që ndodh në kushtet spitalore, janë element kyç për të verifikuar nëse mjeku ka shkelur procedurat, apo nuk ka vepruar sa,  e si duhet.  Pa këto raporte, çdo konkluzion mbetet jo vetëm i pabazuar, por arbitrar, thuhet më tutje në njoftim.

Çfarë parasheh Kodi Penal për trajtimin mjekësor?

Me miratimin e Kodit të ri Penal, çdo punonjës shëndetësor i cili me rastin e dhënies së shërbimeve të kujdesit shëndetësor, përdor haptas një mjet apo metodë të papërshtatshme të mjekimit ose në ndonjë mënyrë tjetër haptazi nuk i zbaton rregullat e profesionit ose haptazi vepron në mënyrë të pakujdesshme, duke shkaktuar keqësim të sëmundjes, dënohet me burgim me jo më shumë se një vit.

E nëse një person shkakton lëndim të rëndë trupor ose sëmundja ekzistuese përkeqësohet ndjeshëm, kryesi dënohet me burgim me jo më shumë se tre vjet.

Ndërsa nëse si rezultat i veprës penale, një person tjetër pëson një lëndim veçanërisht të rëndë trupor ose shtatzënia e një personi ndërpritet, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Kodi Penal, Neni 254

 

 

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments