Reagime, përgjigje dhe kundërpërgjigje sot ka pasur në mes të ish-zyrtarit të LDK-së, Faton Peci dhe ish-liderit të kësaj partie, Isa Mustafa. Shkak u bë një deklaratë e Mustafës dhënë për Gazetën Express, i cili listën ‘Guxo’ e quajti patericë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Peci i tha Mustafës se LDK-në e ka sjellë në skaj të ekzistencës, duke e vënë partinë e tij, në dispozicion të PDK-së, kurdo që ajo ka pas nevojë.
Ndërkaq, Isa Mustafa i është kundërpërgjigjur duke thënë se ‘nuk është mjek t’i ndihmojë për gjendjen e tij psikologjike dhe shpirtërore’.
Megjithëkëtë, polemika po vazhdon ende, ku Peci i është kundërpërgjigjur Mustafës përmes një shkrimi në Facebook.
“Gjendja më e rëndë shëndetësore te pacientët është kur mendojnë se janë mirë dhe se të tjerët kanë nevojë për ndihmë shëndetësore. E një nga shenjat e matufosjes është kur fillojnë t’i ngatërrojnë emrat apo epitetin me të cilin janë njohur botërisht ia vëjnë tjetrit, si puna e epitetit “kuisling””, shkroi Peci.