Sot, në Gjykatën Speciale në Hagë do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.
Së fundmi, kryetarja e DhSK-së në Hagë, Ekaterina Trendafilova, e rrëzoi kërkesën e mbrojtjes së Thaçit për të hequr apo zëvendësuar gjyqtarin e procedurës paraprake, Nicolas Guillou.
“Më 8 prill, kryetarja Trendafilova rrëzoi kërkesën e mbrojtjes së Thaçit për të hequr ose zëvendësuar gjykatësin Nicolas Guillou si gjykatës të vetëm”, kishte deklaruar zëdhënësi i këtij institucioni, Michael Doyle.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.