Një variant i ri i koronavirusit, i njohur si P1 e që po përhapet shumë në Brazil, është duke e përkeqësuar gjendjen në shtetin më të madh të Amerikës Jugore.
Sipas statistikave, gati 67 mijë njerëz vdiqën nga Covid-19 në Brazil gjatë muajit mars, që është shifër dyfish më e lartë sesa numri i viktimave në secilin muaj tjetër gjatë pandemisë.
Gazetari i të përditshmes së famshme amerikane, “Washington Post”, Terrence McCoy, shkroi në Twitter se pacientët tani po arrijnë në spitale në gjende shumë më të rëndë si dhe është duke ndryshuar edhe profili i pacientëve.
Sipas tij, gjithnjë e më shumë të rinj po kanë nevojë për kujdes intensiv dhe shkalla e vdekjes së tyre është duke u rritur.
Sipas një ankete të Shoqatës Braziliane të Mjekësisë Intensive, shkalla e vdekshmërisë së pacientëve të moshës 18 deri në 45-vjeçare është rritur nga 13.1 në 38.5 për qind në krahasim me vitin e kaluar.
Megjithatë, sipas statistikave, shkalla e vdekshmërisë është rritur në mesin e të gjithë pacientëve. Rreth 73 pacientë në ventilatorë mekanikë po vdesin tani, në krahasim me 60 për qind në fillim të pandemisë, shkroi gazetari amerikan.
Shqetësuese është edhe shkalla e vdekshmërisë te pacientët nga mosha 18 deri në 45-vjeçare që po vdesin pas vendosjen në ventilatorë mekanikë, që ka shkuar në 51.1 për qind.
Të mërkurën, Brazili shënoi rekord të tmerrshëm të numrit ditor të viktimave të sëmundjes Covid-19 – 4.195 për 24 orë.