Rreth 250 mijë doza vaksina nga ajri janë paraparë të shpërndahen kundër sëmundjes se tërbimit të kafshëve, aksion i cili do të zgjasë afër gjashtë ditë, varësisht nga kushtet klimatike,
I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci. Ai tha se vaksinat janë të sigurta dhe nuk paraqesin rrezik për shëndet të njerëzve apo kafshëve bazuar në përshkrim të prodhuesit të vaksinës.
Sipas Pecit, përmes këtij aktiviteti synojnë përkujdesjen e shëndetit të kafshëve dhe parandalimin e shpërndarjes së sëmundjeve.
“Jemi këtu në aeroportin ‘Adem Jashari’ për të parë nga afër aktivitetin e ndërmarrë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës falë përkrahjes financiare të Komisionit Evropian, një aktivitet që është duke u realizuar dy herë në vit dhe që ka për synim shpërndarjen e vaksinave për kafshët e egra, që ka për synim përkujdesjen e shëndetit të kafshëve por njëkohësisht edhe parandalimin e shpërndarjes së sëmundjeve qoftë te kafshët e egra, por edhe tek kafshët shtëpiake”, u shpreh Peci, teksa tregoi edhe për zonat ku do të shpërndahen këto vaksina.
“Është paraparë që të zgjasë 5-6 ditë aktiviteti. Për 48 orë janë mbi 50 mijë vaksina që janë shpërndarë dhe shpërndahen në shumicën e territorit të Kosovës, kryesisht në vendet malore, kodrinore-malore, por edhe të kullosave dhe nuk përfshihen zonat ku ka lumenj apo liqeje dhe si total objektivi është ndarja e 250 mijë vaksinave dhe ajo që ja vlen të ceket përpos numrit të vaksinave, modeli që është përzgjedh është një prej formave më të avancuara në aspektin e rezistencës për një interval sa më të gjatë, në mënyrë që kafshët e marrin këtë përmes ushqimit, ta kenë afatin e skadencës edhe efikasitetit sa më të madh”, deklaroi Peci.