Në fillim të këtij muaji në SHBA ka nisur vaksinimi kundër koronavirusit për fëmijët e moshës nga 5 deri në 11 vjeç, siç raporton korrespodentja e Zërit të Amerikës, Begum Donmez Ersoz.
Vaksinat me dozë më të vogël të kompanisë “Pfizer-Biontech” për këtë grup moshë janë miratuar nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave si dhe nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
“Nuk ka fare dhimbje. Gjithçka përfundoi për 5 minuta”, thotë Hunter, një djalë 8-vjeçar.
“E ndjeva pak, por nuk më lëndoi”, thotë Mason, një djalë 11-vjeçar.
Kompania Pfizer-Biontech thotë se vaksina është rreth 91 për qind efektive në këtë grupmoshë. Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve kanë thënë se rreziku për raste të rënda dhe vdekje është më i ulët tek fëmijët e vegjël sesa tek të rriturit, por ai është real dhe se COVID-19 ka pasur një ndikim të thellë social, të shëndetit mendor dhe arsimor tek fëmijët, përfshirë hendekun e pabarazive në arsim.
Por disa prindër ende nuk janë të sigurt për këtë rekomandim nga autoritetet shëndetësore.
Sipas një studimi nga Fondacioni “Kaiser Family” i publikuar në tetor, gati dy të tretat e prindërve me fëmijë të moshës nga 5 deri në 11 vjeç “do të prisnin pak kohë” përpara se të vaksinonin fëmijët e tyre.
“Unë kam bërë një kërkim për vaksinat. Personalisht mendoj se është më e sigurt të marrësh vaksinën sesa të mos e marrësh. Unë nuk dua që fëmijët e mi të infektohen me COVID, kështu që ndihem mirë që jemi në rrugën e duhur për t’i vaksinuar plotësisht”, thotë Jessica Bradley, nënë.
Sipas të dhënave, 28 milionë fëmijë të moshës 5 deri në 11 vjeç kanë të drejt të vaksinohen në SHBA./