Por për rastin e rëndë, nga i cili viktima është 8 muajshe shtatzënë, ky prind ka ende për të treguar.
Por përpara se të flasë për televizionin, ai i është drejtuar hetuesit policor me të cilin kanë bashkëpunuar fillimisht, por që i njëjti nuk duket të ketë pasur gatishmëri për të vazhduar komunikimin.
“Kisha informacion shtesë për t’i dhënë hetuesit, e thirra në telefon, ai ma kishte bllokuar numrin. E provova 4-5 herë e pashë që diçka nuk është në rregull, më kishte bllokuar numrin. E thirra me numër të vajzës brenda minutës, i njëjti numër e hapi telefonin”, ka rrëfyer për RTV Dukagjinin, babai i viktimës.
Një herë motra e pastaj babai i të dyshuarit i janë drejtuar shtëpisë së viktimës.
“Ajo është deklaruar që jam motra e tij, edhe me një fjalë i ka bërë presion vajzës time, se i ka thënë a e kë fëmijën me të apo jo, a je e virgjër apo jo, na ka shqetësua. Mbas këtij rastit ka qenë babai i djalit bashkë me vajzën, kanë ardhur te dera, qysh u sjellke muhabeti me e bë një marrëveshje si mes tyre, ose me pare, unë nuk jam aj njeri, nuk e shes moralin me pare, unë pres drejtësinë “, ka thënë babai i viktimës.
Por, jo vetëm familjarët gjithashtu babai pohon që edhe i dyshuari ka tentuar të kontaktojë tashmë me viktimën.
“Vajza s’ka pasur më kontakt, ai ka tentuar me kontaktua me vajzën, tash a ka qenë ai, a familja e tij, ne e kemi incizimin që ka dashur me kontaktu”, ka shtuar babai i viktimës.
Ani pse asnjë psikolog nuk e ka vizituar vajzën, babai thotë se në shtëpinë e tyre ka ardhur një punëtor i qendrës sociale, i cili i ka ofruar viktimës dy opsione.
“Kur të lind fëmija ekzistonte mundësia me lënë tek qendra, 2 vite me qëndruar fëmija, ndërsa vajza me pa, me kontaktua me fëmijën e vet, e pas dy vitesh po u kthejke fëmija te vajza, opsioni i dytë ishte pasi të merr kjo fëmijën pas dy vite, me lejen tonë të prindërve mund kjo të kthehet te ai person”, ka shtuar babai i viktimës.
Por, opsioni i dytë e ka fyer shumë këtë të fundit.
“Me shkua vajza të ai person unë nuk jam dakord, sot as kurrë hiç se kjo nuk u bë me qejf por me dhunë, vajza është 13 vjeçe”, ka thënë tutje ai.
Televizioni ka qenë tek Qendra për Punë Sociale por drejtori i saj Demush Mehmeti nuk ka qenë aty, ndërsa komunikimi me të është bërë përmes telefonit me ç’rast ka thënë se kanë vepruar konform kërkesave të familjes në ofrimin e ndihmës.
Por as ai e as drejtoresha e Shëndetësisë në Viti, Merrushe Ahmeti nuk kanë dashur të flasin para kamerës, ku kjo e fundit ka edhe një arsyetim të çuditshëm.
“Nuk ka nevojë për kamera zonjë, na jena Komunë e vogël e mundemi me pas problem me opinionin kështu që ua japim informacionet”, ka thënë drejtoresha e Shëndetësisë në Viti, Merrushe Ahmeti.
Në gjithë këtë situatë ku i dyshuari është jashtë shtetit, babai i viktimës ka shtuar se nuk po trajtohet me prioritet nga Prokuroria.
Por Kryeprokurori i Gjilanit Arben Kadriu ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se po bashkëpunohet ngushtë me shtetin e huaj, dhe shprehet optimist se i dyshuari do të kapet.