Shqipëria zgjedh sot kryebashkiakët për 61 bashki të vendit me në garë 144 kandidatë. 5213 qendra votimi janë hapur në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00. Gjatë ditës është vënë re një pjesëmarrje më e ulët në votime krahasuar me një vit më parë, ndërsa janë shfaqur gjithashtu probleme teknike në disa qendra votimi.
Ka pasur vonesa në nisjen e procesit të votimit në disa qendra për shkak të mosfunksionimit të pajisjeve të identifikimit elektronik, ndërkohë në disa të tjera ka probleme me paraqitjen e komisionerëve, kryesisht të Partisë Demokratike.
Në 3 bashki të rëndësishme si Elbasani e Kamza dhe Vora, jo vetëm identifikimi, por edhe votimi dhe numërimi i votave, ishte planifikuar të jetë elektronik. Por nuk ka shkuar si duhet. Identifikimi elektronik ka pasur probleme në rreth 500 qendra votimi.
Në disa qendra votimi ka pasur edhe incidente. Një përplasje ndodhi mes një grupi të mbështetësve të opozitës me ata të Partisë Socialiste në qendrën e votimit në Spitallë, atje ku dhe procesi i votimit u ndërpre për 30 minuta. Një tjetër incident është shënuar dhe në Fushë-Krujë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i përditëson të dhënat për pjesëmarrjen në zgjedhje çdo një orë dhe për t’u njohur më me detaje për pjesëmarrjen në votime klikoni KËTU!