Konfliktet në trafik janë goxha të shpeshta në vendin tonë dhe jo rrallëherë eskalojnë në kërcënime serioze e përleshje fizike, për çka nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë. Në shumicën e këtyre rasteve, mollë sherri bëhen shkeljet e rregullave të komunikacionit, duke i shtyrë kështu shoferët të përfshihen në rrahje. Për një rast të tillë që ka ndodhur mbrëmë në Prishtinë janë arrestuar katër persona, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për dy të rinjtë, Hekuran Përvetica dhe Leart Bajrami, si dhe prindërit e tyre, Skender Përvetica dhe Naim Bajrami.

E gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur rreth orës 22:30 në rrugën ‘Fahri Fazliu’ në kryeqytet, kur dy veturat që drejtoheshin nga Learti dhe Hekurani, janë përplasur mes vete.

Pas aksidentit ku pati vetëm dëme materiale, palët janë përfshirë në përleshje fizike me njëri-tjetrin, të cilët Policia mezi arriti që t’i fus nën kontroll.

Të dyshuarit janë arrestuar dhe janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, teksa me urdhër të prokurorit, atyre u është caktuar masa e ndalimit policor dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Sulm’.

Ndryshe, rastin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale.

“Katër meshkuj kosovar janë arrestuar për shkak se të njëjtit si pasojë e një mosmarrëveshje ishin përfshirë në një rrahje ndërmjet vete. Të dyshuarit pas inicimit të rastit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.